Në emisionin e parë të këtij sezoni, “Fiks Fare” transmetoi një denoncim të fortë, ku u zbulua se nëna e juristit të Bashkisë së Himarës kishte fituar dhjetëra tendera në këtë institucion.

Sipas hulumtimeve, rezultoi se juristi i Bashkisë së Himarës, Elton Rondo, ka punuar në këtë institucion 7 vite dhe, gjatë kësaj kohe, nëna e tij, Fotina Rondo, e cila ka në pronësi disa firma ndërtimi, ka fituar plot 13 tendera nga kjo bashki!

Në qendër të investigimit ishte vendimmarrja ndër vite e Bashkisë së Himarës, e drejtuar nga z. Jorgo Goro.

Historia
“Nga viti 2012, deri në vitin 2019, në këtë bashki ka punuar si jurist, por edhe në pozicione të tjera, z.Elton Rondo. Detyra e tij ka qenë e ndryshme, ku herë pas herë ka përgatitur edhe dokumentet e tenderëve që zhvilloheshin në këtë institucion” thuhet në informacion.

Ndërkohë, sipas Regjistrit të Gjendjes Civile, nëna e juristit quhet Fotina Rondo. Kjo e fundit, sipas dokumenteve zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ka në pronësi me 100 % të aksioneve firmën “Cogren Shpk”.

Më parë, kjo firmë quhej “Elekri shpk”, ndërkohë që ndryshimi i emrit është bërë në vitin 2018. Por, sërish, edhe pas ndryshimit të emrit, aksionere me 100 % të aksioneve është znj, Fotina Rondo.

Gjatë kohës që firma ndryshoi emrin, ka fituar me dhjetëra tendera në Bashkinë e Himarës. Pra, nga njëra anë rezulton se djali përgatiste dokumentet dhe nga ana tjetër nëna e tij i fitonte ata.

Nga dokumentet zyrtare rezulton se, nga viti 2013 deri në vitin 2020, firmat “Elekri dhe Cogreen”, kanë fituar plot 13 tendera nga kjo bashki.
Fiks Fare u interesua pranë Bashkisë së Himarës për të pyetur titullarët e saj në lidhje me këto procedura. Fillimisht, asnjë punonjës i bashkisë nuk pranoi të jepte shpjegime, por më pas kryetari pranoi të takojë grupin e Fiks Fare, por pa praninë e kamerës. Ai i tha gazetarëve se të gjithë informacionin e kërkuar do të kthente një përgjigje zyrtare.

Z.Goro pranoi se Elton Rondo ka qenë jurist i bashkisë së Himarës, madje kishte informacion edhe për firmën e nënës së tij. Por, këmbënguli se në momentin që futej në “lojë” firma “Elekri” apo “Cogren”, juristi nuk merrte pjesë në komisionin e vlerësimit të ofertave.

Ndërkohë, vetëm pas disa javësh, Bashkia e Himarës ka konfirmuar se z. Elton Rondo ka punuar nga vitit 2012 deri në vitin 2019 pranë Bashkisë.

Për tenderët e Bashkisë Himarë, ka përpiluar një raport të hollësishëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, i publikuar në fund të vitit 2019. Në këtë raport, KLSH ka konstatuar se tenderët me vlera të larta në Bashkinë e Himarës janë zhvilluar me një firmë në garë.

Madje, sipas KLSH, këto firma nuk kanë plotësuar kriteret për kualifikim. Por, megjithatë, këto firma, jo vetëm nuk janë s’kualifikuar, por kanë marrë çdo qindarkë të akorduar nga Bashkia e Himarës. Dhe, një nga firmat që ka përfituar, është e nënës së ish-juristit të Bashksë!