Bashkimi Evropian ka thënë se nuk e njeh Alexander Lukashenkon si president të Bjellorusisë, një ditë pasi ai bëri betimin për një mandat të gjashtë në një ceremoni sekrete.

Shefi diplomatik i BE-së tha se inaugurimi i paralajmëruar, si dhe rizgjedhja e tij e diskutueshme në muajin e kaluar, nuk kanë “asnjë legjitimitet demokratik”.

“I ashtuquajturi përurim dhe mandati i ri i pretenduar nga Aleksandër Lukashenko nuk kanë asnjë legjitimet demokratik. Përurimi kundërshton drejtpërdrejt vullnetin e pjesës më të madhe të qytetarëve të Bjellorusisë të cilët protestojnë që nga dita e zgjedhjeve. Ky betim thellon edhe më tej krizën politike në Bjellorusi”, thuhet në deklaratën e 27 vendeve anëtare të unionit.

Edhe një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit deklaroi se Lukashenko nuk është presidenti legjitim i Bjellorusisë.

Në ceremoninë e betimit për president të Lukashenkos, e cila u mbajt të mërkurën në Pallatin e Pavarësisë, morën pjesë kryesisht zyrtarë besnikë të partisë dhe sipas të dhënave nuk kishte të ftuar asnjë personalitet të huaj.

Opozita në Bjellorusi e kundërshton rezultatin e zgjedhjeve duke thënë se ka pasur manipulime në favor të Lukashenkos. Ndërsa, betimin e djeshëm të tij për president e përshkruan si një “takim hajdutësh”.

Përveç opozitës dhe popullit bjellorus që vazhdon të tregojë pakënaqësitë me anë të protestave, edhe Bashkimi Evropian me 27 shtete anëtare dhe SHBA-të hodhën poshtë rezultatet e zgjedhjeve, duke i quajtur rezultate të falsifikuara.

Komisioni zgjedhor i vendit tha se Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet për 26 vjet, fitoi më shumë se 80% të votave. Ky rezultat shkaktoi pakënaqësi të mëdha dhe protesta disa javore në ish-republikën Sovjetike. Edhe pas përurimit, protestat masive kundër presidentit vazhduan dhe u raportua se pati edhe dhunë nga ana e policisë.

Por Lukashenko këmbëngul se ai i fitoi në mënyrë të drejtë zgjedhjet e 9 gushtit dhe i ka përshkruar protestat kundër tij si një komplot të mbështetur nga Perëndimi. Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, ai mori një hua prej 1.5 miliardë dollarësh nga Rusia fqinje, e cila vazhdon ta mbështesë fuqishëm Lukashenkon dhe duket se ka ngelur aleati i vetëm i tij.