Tensionet mes Britanisë së Madhe dhe BE-së janë rritur sërish. Brukseli ka ndërmarrë një nismë ligjore kundër Londrës, pasi qeveria britanike vendosi të shtyjë implementimin e kontrolleve për disa produkte që kalojnë në detin irlandez.

Lëvizja e palës britanike shkel marrëveshjen e Brexit të nënshkruar 3 muaj më parë.

Brukseli i ka dërguar një letër Mbretërisë së Bashkuar ku thuhet se, “shkelja e ligjeve ndërkombëtare cënon qëllimin e marrëveshjes dhe minon besimin reciprok”.

Në Republikën e Irlandës, vendimi për nisjen e procedurave ligjore u mirëprit me ngurrim.

“Veprimet dhe deklaratat e njëanshme nuk çojnë askund. Ajo të cilës i druhemi ne në Irlandë është destabilizimi i situatës. Brexit është destabilizuesi më i madh dhe tani veprimi i qeverisë britanike po i bën gjërat edhe më të vështira”, u shpreh Neale Richmond, zëdhënës për çështjet evropiane, Fine Gael.

Ndërkohë, një zëdhënës i kryeministrit britanik Boris Johnson deklaroi se lëvizja për të shtyrë kontrollet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut për produkte si ushqimi dhe gjënë e gjallë është pjesë e implementimit të një traktati dhe nuk kërkon veprime ligjore.

Të dyja palët shprehen të gatshme ta diskutojnë çështjen në komisionin e përbashkët që mbikëqyr marrëveshjen e Brexit.

Ky është vetëm fillimi, por që mund ta çojë rastin përballë gjyqtarëve në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, diçka që nuk do të mirëpritet nga mbështetësit e Brexit në Londër.

Letra që BE i ka dërguar qeverisë britanike kërkon një përgjigje brenda një muaji.