Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lëshuar akuza ndaj SPAK dhe drejtuesve të këtij institucioni teksa në parlament diskutohej për raportet e institucioneve të drejtësisë.

Berisha tha se SPAK nuk heton “sarajet e Ramës” në Surrel, që sipas ish-kryeministrit janë deklaruar si të blera me 2 Euro, kur aty shitej me 20-40 euro metri katror.

Berisha përmendi edhe pallatin e familjes së ish-kryedemokratit Lulzim Basha në Vlorë, shembur në vitin 2013 nga qeveria Rama, për të cilën thotë se nuk ka asnjë faturë tatimore, megjithëse është shpërblyer me 11 milion euro nga Gjykata e Strasburgut.

“Pyesni pak përfaqësuesit e SPAK, KLD e KLGJ e me radhë t’ju thonë pse nuk hetojnë sarajet e Edi Ramës me gjatësi themelesh 57 metra, me oborr 5 mijë metra, të deklaruar se e ka blerë me 2 euro metri në një kohë kur shitet me 20 euro dhe 40 euro në atë zonë. Pyesni pak pse nuk hetojnë pallatin e familjes Basha, që nuk kanë asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, por shpërblejnë ndërtuesin vetëm para tre javësh me 11 milionë euro! me 99% të fondit limit dhe të vetëm në garë”, u shpreh Berisha