I ftuar në “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ai ka pasur informacione se Basha i thoshte ambasadores Yuri Kim se çdo gjë në PD e kontrollon Berisha

Ai tha se ka pasur burime të mëvonshme se Basha ka bërë denoncimin për çështjen e non grata-s dhe se vendimi për përjashtimin e tij u mor pa asnjë fakt dhe dokument.

Berisha: Mua më është thënë muaj nga Uashingtoni më parë se Basha i thoshte ambasadores Yuri Kim se çdo gjë në PD e kontrollon Berisha, gjer në atë shkallë sa duhet të dalim të bisedojmë në ballkon se kemi frikë se ai mund të vendosë përgjues.

Përpos kësaj më kanë thënë edhe burime të mëvonshme se Basha ka bërë këtë denoncim. Vendimi u mor pa asnjë fakt dhe dokument. Administrata e SHBA-ve vetë e ka vlerësuar qeverinë time kundër korrupsionit. Keni fjalën e Hillary Clinton në 2012, ku ajo thoshte se kushdo që të shohë demokracinë në veprim të vijë dhe ta shohë në Shqipëri.

“Kurrë s’kam ndërhyrë në vendimet e Bashës, nuk kam kërkuar në PD djegien e mandateve”

Sali Berisha u shpreh më tej se kurrë nuk ka ndërhyrë në vendimet e Bashës sa kohë ai ka qenë kryetar i partisë.

Ai tha se djegien e mandateve e ka përmendur kur Gramoz Ruçi ka shkelur në mënyrë flagrante parlamentarizmin me Arta Markun, duke e shumëzuar me zero parlamentin.

Berisha: A kam ndërhyrë unë në veprimet e Bashës? Kurrë! Në asnjë listë dhe në asnjë organizim të PD-së. Djegie e mandateve kur Gramoz Ruçi ka shkelur në mënyrë flagrante parlamentarizmin me Arta Markun, duke e shumëzuar me zero parlamentin. Unë e thash se nuk ka parlament më, por kurrë nuk e kam kërkuar në grup djegien e mandateve.

Basha e bëri me idenë e polarizimit të shoqërisë dhe kjo do të çonte në rrëzimin e Edi Ramës. Unë i thash se kjo do të çonte në katastrofë dhe se do të kishte shumë probleme me ndërkombëtarët. Unë jam njeri që kam marrëdhënie me ndërkombëtarët. Unë nuk pranoj që të shkel parimet universale. Unë kam qenë kundër koalicioneve me Edi Ramën. Mua më kanë ardhur njerëz të Bashës duke më pyetur për koalicionet me Ramën.