Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, është përjashtuar nga Partia Socialiste. Lajmi u është komunikuar strukturave lokale mbrëmjen e djeshme nga Damian Gjiknuri, drejtues politik i qarkut.

Në Asamblenë e PS-Vlorë, Gjiknuri ka njoftuar ndarjen e socialistëve me Lelin, duke u lexuar anëtarëve edhe një mesazh telefonik të kryetarit Edi Rama. “Dritan Leli nuk është më pjesë e jona, nuk do të dalim përkrah tij në fushatë”, është shprehur Gjiknuri.

Përjashtimi i Lelit nga Partia Socialiste erdhi pasi kryebashkiaku i Vlorës refuzoi të japë dorëheqjen për t’u kandiduar si deputet, kur mësoi se i ishte ofruar një pozicion jo i favorshëm në listë.

Dritan Leli u zgjodh në krye të Bashkisë së Vlorës në vitin 2015, si një propozim i Koço Kokëdhimës, atëherë një nga njerëzit më të afërt të kryesocialistit Rama. Ndonëse ky i fundit e konfirmoi në zgjedhjet e vitit 2019, mes tij dhe Lelit marrëdhëniet ishin të krisura prej kohësh.