Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri po përfitojnë nga mekanizmi i “Grancisë për rritje ekonomike”, i prezantuar nga Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim si kundërpërgjigje ndaj pasojave të pandemisë, duke marrë hua miliona euro për të kredituar bizneset e vogla.

BERZH njofton nënshkrimin e një marrëveshjeje huaje me Raiffeisen Bank që shkon mbi 100 mln euro. Huaja është dhënë me kusht që banka e nivelit të dytë në Shqipëri të ofrojë mbështetje për bizneset e vogla, që janë kyçe në ekonominë e Shqipërisë.

“Jemi të lumtur nga bashkëpunimi i radhës me partnerin tonë jetëgjatë Raiffeisen. Besimi që kemi fituar prej vitesh bashkëpunimi na lejon që të bëjmë një hap tjetër përpara me bindjen se edhe dita e sotme do të shenjojë një fillim të ri në sipërmarrjen tonë të përbashkët”, tha zv.Presidenti i Parë i BERZH, Jurgen Rigterink.

“Jemi të lumtur që bashkëpunojmë me BERZH me këtë produkt risi për mbështetjen reale të ekonomisë në rajon që ndihmon financiarisht projekte të qëndrueshme”, deklaroi kreu ekzekutiv i “Raiffeisen Bank International”, Johann Strobl.

Dega shqiptare e Raiffeisen Bank beson se huaja do të rrisë kapacitetin financues të sektorit privat në këto kohë krizash, ndërkohë që nën të njëjtin mekanizëm një hua prej 10 mln eurosh i është dhënë bankës Pro Credit.