Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetim pasuror ndaj Ramazan e Fjoralb Rrajës si pjesë e një bande që trafikonte kokainë nga Amerika Latine.

SPAK do të hetojë dhe pasurinë e deputetit të PS, Rrahman Rraja dhe kërkojë konfiskim çdo pasuri të pajustifikuar.

Ramazan dhe Fjoralb Rraja dyshohen se drejtues të bandës e cila u kap të martën.

8 shqiptarë dhe 2 të huaj u arrestuan në Belgjikë, në një operacion ndërkombëtar ku mori pjesë policia belge, gjermane dhe shqiptare.

Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar kokainë në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.

Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.