Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka mbrojtur edhe njëherë vendimin dhe mori përgjegjësinë për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, pas largimit të ushtarëve të fundit nga ky vend një ditë më parë.

Në një konferencë për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi dhe procesin e evakuimit të civilëve dhe bashkëpunëtorëve në Afganistanin e zaptuar nga talebanët, duke thënë se ishte një ndër më të mëdhenjtë në histori, për një periudhë kohore kaq të shkurtër.

“Përfunduam një nga transportimet më të mëdha ajrore në histori. Asnjë komb nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë. Vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta bërë atë. Operacioni nuk do të ishte i mundur pa aftësinë, trimërinë dhe guximin vetëmohues të trupave amerikane, diplomatëve dhe personelit të inteligjencës. Ata e bënë duke u përballur me një turmë të madhe njerëzish që kërkonin të largoheshin nga vendi, dhe e bënë duke e ditur që terroristët e ISIS-K, armiqtë e betuar të talebanëve, fshiheshin në mesin e turmave”.

Biden theksoi se edhe nëse evakuimet për largim do të kishin filluar më herët, në Qershor apo Korrik, prapë sipas tij do të krijohej rrëmujë në aeroportin e Kabulit, që do të kishte shkaktuar trazira.

“Sërish do të kishte qenë një mision i vështirë dhe i rrezikshëm”, tha ai.

Më tej, presidenti Biden u shpreh se SHBA ishte përgatitur për një dështim të forcave afgane përpara afatit të 31 gushtit.

“Ne këshilluam ekipin tonë të sigurisë kombëtare të përgatitej për çdo skenar. Ne ishim gati kur forcat afgane të sigurisë nuk i bënë ballë presionit të talebanëve, ndonëse ne prisnim më shumë”.

Në Afganistan kanë mbetur edhe 100-200 shtetas amerikanë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë. Këta persona, tha Biden zgjodhën të mos largohen nga vendi, por premtoi se SHBA do t’i evakuojë nëse ata kërkojnë që të largohen.

Në fjalimin e tij përpara qytetarëve amerikanë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se bota po ndryshon. Duke vlerësuar objektivat e përmbushur të SHBA në Afganistan, Biden tha se Bin Laden u vra, por bota po merr kërcënime nga Al-Shabab, degë e Al-Kaedës, dhe nga shteti islamik.

“I dhamë Bin Ladenit drejtësinë që meritonte para më shumë se 1 dekade. Al-Kaeda u shkatërrua. Nuk besoj se siguria e Amerikës është rritur duke vendosur qindra trupa ushtarake në terren dhe duke shpenzuar miliarda në Afganistan”, u shpreh Biden duke shtuar se SHBA duhet të ndryshojë strategjinë. Dhe në këtë aspekt Presidenti amerikan përmendi sulmin me dron të pak ditëve më parë ndaj ISIS-K.

“Ne goditëm nga distanca ISIS-K disa ditë më parë pasi ata vranë 13 nga ushtarët tanë dhe dhjetra afganë të pafajshëm. ISIS-K, kemi ende punë me ju”.