Një deklaratë e studiueses Jonila Godole, drejtuese e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë në Partinë Demokratike, ku propozohej që PD të ndahet nga Sali Berisha, duket se ka shkaktuar tërmet në Selinë Blu.

Menjëherë pas intervistës, në telefonat e të zgjedhurve të rinj të PD, mbërriti një sms nga kryetari i grupit parlamentar.

Në mesazhin e dërguar nga Alfred Rushaj, drejtuesve të rinj të PD u kërkohet që të mos dalin në intervista mediatike, apo të japin qëndrime për çështje të caktuara, pa u koordinuar më parë me linjën politike të partisë.

“Duke iu uruar shumë suksese në detyrën e rëndësishme që iu është besuar, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të mos konfirmuar asnjë dalje mediatike pa koordinuar më parë mesazhin politik për temat që diskutohen. Gjithashtu, çdo dalje mediatike për çështje politike duhet të realizohet me njoftimin paraprak të zyrës së shtypit të PD. Ju falenderoj për mirëkuptimin”, thuhet në mesazhin e Alfred Rushajt.

Qëndrimi i Jonila Godolës kundër Sali Berishës, duke kërkuar ndarjen përfundimtare të tij nga PD, shkaktoi jo pak habi, pasi u publikua edhe në gazetën zyrtare të selisë blu, Rilindja Demokratike.

Gjithsesi “bomba” e Godoles u fshi dhe redaksia e RD u kërkoi ndjesë lexuesve për shkrimin e publikuar.

Nuk dihet nëse kishim të bënim me një “tërheqje veshi”, “reflektim” apo “provokim”.

Ndarja e PD-së nga Sali Berisha është edhe një kërkesë e amerikanëve, pasi këtë të fundit e shpallen “non grata”.

Gjithsesi, nga ana e Lulzim Bashës nuk ka ende një qendrim.