Pas mbylljes së aplikimeve për hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, drejtuesja e këtij institucioni të krijuar së fundmi, Aida Hajnaj, bën me dije se numri i kandidatëve që kanë aplikuar ka shkuar mbi 650 persona.

Ajo thotë se procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë dhe objektiv, duke identifikuar kandidatët më të mirë. Hetuesit e rinj do të punojnë nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas saj, struktura e re do të jetë e pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm, mesazh i theksuar edhe më herë nga ambasada amerikane në Tiranë.

Mesazhi i plotë i drejtueses së BKH-së:

Falënderoj të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për pozicionet “Hetues” në Byronë Kombëtare të Hetimit. Afati i fundit për aplikim ka qenë data 29.09.2020, i cili ka përfunduar në orën 24.00 të kësaj date.

Numri i kandidatëve të interesuar, që iu përgjigjën thirrjes për të aplikuar për këtë pozicion pune,në zbatim të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” është mbi 650, sa më shpejt që të jetë e mundur do bëjmë saktësimet dhe do të njoftojmë numrin e saktë të kandidatëve që kanë aplikuar.

Falenderoj edhe njëherë të gjithë kandidatët që kanë aplikuar dhe ju garantoj që procesi i përzgjedhjes do të jetë një proces i drejtë, objektiv, transparent, dhe i barabartë, duke identifikuar kandidatët/et më të mirë, të cilët do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.

Procesi i përzgjedhjes do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve që garanton transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces.

Aida Veizaj (Hajnaj)

Drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit