Nga Kastriot KOTONI

Gustav Le Bon thekson: “Karakteri i rracës ose i kombit, cilësitë bazë të tij, mungesaose jo e tij, bazat morale të tij, përbëjnë faktorin më të fuqishëm në zhvillimin kombëtar të një populli dhe vendi. Karakteri u jep mundësinë popujve të ndjejnë e të veprojnë. Shoqëritë fetare dhe perandoritë janë mbështetur te karakteri e jo te mendja apo cilësitë mendore. Pa njohur strukturën shpirtërore të një populli, historia e tij do të duket një kaos ngjarjesh që drejtohen nga rastësia. Prandaj për këtë arsye, qëllimi i edukimit është në radhë të parë formimi dhe lartësimi i karakterit të njeriut, pasi ai është një nga motorët më të mëdhenj të botës e shoqërisë. Ecuria e një qytetërimi rrjedh nga karakteri dhe ndjenjat e trashëguara të popullit që ka krijuar këtë qytetërim. Ai qytetërim që ka krijuar brenda dy a tre shekujve idetë themelore në fushën e shkencës e arteve, letërsisë dhe filozofisë, atëhere ky qytetërim ka arritur nivele të larta. Një nga idetë kryesore të qytetërimeve janë idetë fetare, pasi të gjitha institucionet politike dhe shoqëritë janë bazuar tek ato pasi vetëm besimet fetare janë të afta të veprojnë shpejt mbi karakterin e njeriut dhe të kombit. Faktori kryesor i shuarjes së popujve apo vdekjes së perandorive ka qenë prishja e karakterit dhe ndryshimi i strukturës shpirtërore. Ky mekanizëm i dekadencës ka qenë i njëjtë.”
Sipas Gustav Le Bon “burrë shteti” është ai që depërton në shpirtin e turmës që kupton ëndrrat e saj dhe mbron abstraksinet filozofike në emër të saj. Këto ide në pikpamje shoqërore kanë rëndësi të madhe se realiteti nuk ndryshon vetvetiu. Për shoqëritë moderne egzistojnë kushte të ekzistencës së ligjeve të moralit dhe institucioneve që kanë vlerë absolute. Burrat e shtetit të kohëve të sotme besojnë më tepër te rëndësia e institucioneve se sa te rëndësia e ideve. Sduhet të harrojmë se institucionet janë bija të ideve dhe s’mund të ekzistojnë pa mbështetjen e tyre. Idetë janë amortizatorët e padukshëm të gjërave. Kur ato zhduken atëhere dhe “këmbët” e institucioneve thyen. Me “turmë” do të kuptojmë një grumbull individësh të çfarëdo kombësie, profesioni apo gjinie, ciladoqoftë arsyeja që ka i mbledhur së bashku. Individi i përfshirë në grup kthehet në turmë duke humbur individualiteti e vet në dobi të fitimit të shpirtit kolektiv, i cili ka karakter të përkohëshëm dhe tipare të përcaktuara mirë. Individë të caktuar, në kushte të caktuara dhe nën veprimin e shkaqeve të caktuara, si emocione dhe ndjenja të forta, apo ngjarje të ndryshme, shpesh dhe banale, shndrrohen në një turmë të frymëzuar, duke fituar tipare e cilësi të reja. Ky është një ligj psikologjik. Mënyra se si formohen këto tipare është:
1. Në turmë individi krijon bindjen se vishet me një fuqi të papërballueshme, për shkak të numrit të njerëzve duke zbuluar te vetja, instikte, cilësi apo tipare që i mbante të fshehura (të ndrydhura).
2. Në turmë çdo ndjenjë, çdo veprim është ngjitës, infektues duke sakrifikuar interesat personale në favor të interesave kolektive.
3. Individi-turmë, sygjestionohet fare lehtë, nga një fjalë, nga një imazh, nga një gjest, nga një fantazi e çmendur. Psikologjia e turmës e kthen njeriun në barbari, në primitivizëm pasi ai priret drejt veprimeve të dhunshme, arbitrare, duke hapur sherre, grindje, sjellje të egra të shoqëruar me një ndjenjë entuziazmi heroizmi.
Tiparet kryesore të turmës janë:
Së pari: impulsiviteti, paqëndrueshmëria e madhe dhe agresiviteti. Së dyti: Shkalla e lartë e ndikueshmërisë për shkak se turma beson shumë sugjestionohet lehtë dhe i mungon fryma kritike.
Së treti: Zmadhimi i ndjenjave dhe njëanëshmëria, të cilat marrin përmasa të frikshme, deri në akte të dhunshme e veprime të papërgjegjshme, duke u kthyer në një uragan të verbër shkatërrimtarë.
Njohja e psikologjisë së turmës përbën mjetin e fundit që ka në dorë pushtetari për të mos i lejuar turmat t’i hipin atij mbi shpinë. Bindjet e turmës siç ka treguar historia vishen me kostum fetar, ideologjik ku adhurimi për një qënie të lartë reale apo të supozuar , frikë nga fuqia magjike që i vishet atij, bindje e verbër urdhrave të tij, pamundësi për të kundërshtuar dogmat e tij, dëshir për të përhapur mësimet e tij, prirje për t’i konsideruar armiq të gjithë ata që nuk i pranojnë ato etj. Nështrimi i vullnetit, padurimi dhe flaka e fanatizmit vihen rastësisht në shërbim të kauzave që kthehet në objektivin themelor të turmës apo turmave. Turmat janë gati të sakrifikojnë dhe jetën për arritjen e këtij qëllimi. Faktorët që rendit Le Bon në krijimin e bindjeve dhe opinionit të turmave janë, raca, traditat kombëtare, institucionet politike e shoqërore, arsimi dhe edukata. Shkolla thekson Gustav Le Bon, në vend që t’i përgatisë njerëzit për jetën shkolla i përgatit ata për të zënë poste shoqërore, pa shfaqur asnjë aftësi për të vepruar në mënyrë të pavarur. Një shoqëri e tillë formon një ushtri proletarësh të pakënaqur nga fati i tyre e cila është e gatshme për trazira, që beson verbërisht te fuqia providenciale e shtetit, ndaj të cilit mba n përherë qëndrim kundërshtues, duke e akuzuar qeverinë për gabime që bëjnë vetë. Idetë e Gustav Le Bon të ilustruar me historinë tonë politike, janë vlerësuar nga albanologë të mëdhenj të cilët tregojnë rëndësinë e psikologjisë në ndërtimin e strukturës shpirtërore të kombit, por dhe në përparimin e shoqërisë shqiptare, ndonëse Shqipëria përpëlitet në darën e një krize të rëndë morale. Vetëm fakti që kemi mbrritur tek shpresa e gijotinës së SPAK-ut flet shumë. Elitat intelektuale ia kanë futur gjumit për shtatë palë qejfe, elitat e reja janë në udhës në një det të vdekur dhe kthejmë kokën pas tek intelektualët e viteve 1930-1940 të cilët patën kurajo për të analizuar shkaqet e prapambetjes dhe burimin e krizës shqiptare dhe shfaqën ose parashtruan ide për të ardhmen e vendit.