Dy ditë nga vrasja e 32-vjeçarit Can Kariçi, grupi hetimor ka bërë verifikimin e kamerave te sigurisë dhe provave të mbledhura në vendin e ngjarjes.

Hetuesit kanë rindërtuar skenën e krimit, ku kanë zbuluar se Kariçi është qëlluar kur doli nga lokali, shkoi tek makina që e kishte parkuar disa metra më tutje bar-kafesë dhe më pas hipi në automjetin “Golf 5” me targa gjermane.

I riu u qëllua me 4 plumba sapo kishte ndezur makinën, dhe fillimisht ai mbeti i plagosur. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është zbuluar se viktima ka ecur me makinë rreth 100 metra dhe më pas ka ndërruar jetë, ndërsa automjeti ka ndaluar në anë të rrugës. Trupi i pajetë u konstatua nga kalimtarët e zonës.

Grupi hetimor gjithashtu ka zbardhur dhe lëvizjet e viktimës para se të vritej. Sipas burimeve, 32-vjeçari po konsumonte kafe me dy shokë dhe një shoqe dhe në këtë moment kishte lënë një takim me një vajzë tjetër.

E reja që priste të takonte Kariçi, shkoi me taksi në zonën e Institutit dhe i kishte dërguar me mesazh në telefon adresën ku po e priste. Policia ka arritur ta identifikojë vajzën nëpërmjet tabulateve telefonike dhe gjatë marrjes në pyetje ajo ka mohuar të ketë dijeni për konfliktet e 32-vjeçarit.

Paraprakisht hetuesit dyshojnë se viktima mund të jetë nxjerrë në pritë, por ende nuk ka prova. Për këtë arsye ata janë duke zbardhur bisedat që ka patur viktima ditën e vrasjes. Blutë janë ende nuk pritur përgjigjen e policisë shkencore për pistoletën e gjetur në makinën e viktimës, nëse është përdorur në ndonjë ngjarje. Ndërkohë nga ana tjetër nga kallashnikovi i gjetur në makinën e djegur të autorëve nuk është zbuluar ndonjë gjurmë e vlefshme, apo numri serial i armës.

Burimi: Klan News