Zgjedhjet në Kosovë, fluks kthimesh në aeroportin “Adem Jashari”

Zgjedhjet në Kosovë mbahen të dielën dhe gjatë kësaj fushate elektorale, të pazakontë dhe të shkurtër partitë politike pjesëmarrëse në to i kanë bërë thirrje shtetasve që banojnë jashtë të kontribuojnë me votën e tyre. Pavarësisht se jemi në pandemi, aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës raporton për një fluks të shtuar linjash ajrore që pritet të fillojnë sot dhe përfundojnë të dielën e zgjedhjeve.

Kriza politike në Itali, lista Draghi kalon sot për votim në parlament

Pas një sërë takimesh të njëpasnjëshme dhe të gjata mbi kompozimin e kabinetit qeveritar, pas përkrahjes që mori për krijimin e organit ekzekutiv, sot, lista e kryeministrit të emëruar Mario Draghi kalon për votim në parlament. Qeveria e re pritet të ketë një mandat deri në përfundim të pandemisë ose mundësisht vitin e ardhshëm që përbën edhe fundin e mandatit të presidentit Sergio Mattarella. Me shumë gjasa kjo qeveri provizore, me bazë të gjerë, do të marrë përkrahje më lehtësisht se dy qeveritë e kompozuara nga ish kryeministri Conte.

Koronavirusi, kancelarja Merkel apel për kujdes nga variantet e reja

Lajme të këqija për sa i takon pandemisë koronavirus. Variantet e reja që kanë nisur të qarkullojnë se fundmi në mbarë globin mund të shkatërrojnë sukseset e deritanishme dhe të kërkojnë punë nga fillimi. Kjo gjë do të përkthehej në një valë të tretë infektimesh tha kancelarja Angela Merkel, e cila duke vlerësuar punën e bërë nga qeveria deri më tani, kërkoi ndjesë që nuk bëri më tepër në lidhje me ndalimin e qarkullimit, çka dë të frenonte në maksimum përhapjen e tij.

Trazirat në Kapitol, demokratët paraqesin provat kundër Trump

Në Senatin amerikan mbaroi mbrëmë bërja publike e të gjitha provave që zotërojnë demokratët se Donald Trump ishte nxitës i kryengritjeve në Kapitol. Sipas tyre, tanimë, nuk ka asnjë dyshim në lidhje me përfshirjen e tij në këtë proces. Në argumentet përmbledhëse, prokurori kryesor, ligjvënësi Jamie Raskin u tha 100 senatorëve që po luajnë rolin e jurisë se duhet të përdorin “logjikën e shëndoshë për ngjarjet në Kapitol”. “Një parim bazë është se askush nuk duhet të nxisë dhunë” në demokracinë amerikane, tha Raskin. Sot radhën e ka pala mbrojtëse të paraqesë provat e saj në lidhje me sa ndodhi më 6 janar.

Vaksinimi në SHBA, Biden kritikon Trump: Nuk e prisja situatën kaq keq

Për sa i takon vaksinës dhe procesit në SHBA, presidenti Joe Biden kritikoi mbrëmë planin e masave të paraardhësit të tij dhe premtoi një sasi tjetër prej 200 milionë dozash të reja. “Ndërsa shkencëtarët bënë punën e tyre në zbulimin e vaksinës në një kohë rekord, paraardhësi im nuk e bëri punën e tij për t’u përgatitur për sfidën masive të vaksinimit të qindra miliona amerikanëve”, tha Biden. Më tej, ai tha se nuk e priste ta gjente situatën kaq keq për sa i takon logjistikës, por edhe një herë i përmbahet zotimit të tij për të vaksinuar 100 milionë persona brenda 100-ditshit të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, gjë që mbështetet edhe nga ekspertët.

Bayern Munchen në “çatinë e botës”, Tigres pa “kthetra”

Bajerni i Mynihut është kampion bote. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në Europë, gjigandët gjermanë arritën të fitojnë edhe Botërorin e Klubeve duke barazuar rekordin e Barcelonës që fitoi të gjashtë trofetë e mundshëm në sezonin 2009-2010. Bavarezët ja dolën me sukses përballë Tigres duke e mundur minimalisht 1-0 me një gol të Pavard.

Tuchel vijon rrugëtimin e fitoreve të Chelsea

Chelsea po bën mjaft mirë nën drejtimin e Tomas Tuchel. Që nga momenti që tekniku gjerman ka marrë drejtimin e skuadrës londineze, Chelsea numëron një barazim në debutimin e tij dhe më pas katër fitore me radhë. E fundit është ajo ndaj Barnsley, në FA Cup, fitore e cila i mundëson bluve të Londrës kualifikimin në çerekfinalet e Kupës. Abraham realizoi në minutën e 64 për Chelsea-n që fitoi minimalisht 1-0 dhe vijon ecurinë pozitive.