Kryeministri Rama mbërriti në Pragë për takimin e parë të Komunitetit Politik Europian, një nismë e re ku përfshihen 27 shtetet anëtarë të BE, vendet aspiruese për integrim të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Lindore, e gjithashtu Britania e Madhe e Turqia.

“Sigurisht që nuk është ide e re, shumë e vjetër. Por rilind kur ka kohë krizash dhe shpresoj të mos kemi një krizë tjetër për të pasur një takim tjetër të tillë. Shpresoj që nga ky takim të vazhdojmë të punojmë dhe të ndërtojmë diçka të rëndësishme për komunitetin e popujve europianë. Shqipëria është pjesë e një rajoni, siç është Ballkani Perëndimor, që nuk është në BE, por është i rrethuar nga kufijtë e BE. Për ne është absolutisht thelbësore që edhe pse nuk jemi në BE, të jemi me ju”, tha Rama për gazetarët.

I pyetur se çfarë po bën qeveria për të luftuar trafikantët në veri në Francës, të cilët transportojnë emigrantë, kryesisht shqiptarë, drejt Mbretërisë së Bashkuar, Rama u përgjigj: “Qeveria jonë qeveris Shqipërinë nuk jemi përgjegjës për të qeverisur veriun e Francës, apo jo?”.