Komiteti Teknik i Ekspertëve pas analizimit të situatës së koronavirusit në vend ka marrë disa masa të tjera kufizuese për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në ambiente të hapura dhe të mbyllura.  Gjithashtu do të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.

Komiteti teknik i Ekspertëve ka vendosur të ndalojë konferencat, ceremonitë e festave dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore.

Masat e reja janë:

1 – Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.

2- Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.

3- Konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë.

“Situata mbetet e kontrolluar, por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14-ditore në 243 raste për 100 000 banorë. Numri total i rasteve aktive ka pësuar rritje në 504 për 100 000 banorë. Numri i pacientëve në spitale ka pësuar rritje krahasuar me një javë më parë. Në tre spitalet Covid janë shtruar 406 pacientë. Aktualisht, rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në 4 strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve, ndërkohë që skenarët e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid”, u shpreh Fico.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, tha se opsioni i mbylljes së vendit si Italia dhe Greqia është versioni i fundit sipas skenarëve të tyre.

“Opsioni i mbylljes së Shqipërisë do të ishte versioni i fundit sipas skenarëve, por sipas indikatorëve që masin situatën ne jemi akoma ku ndërhyrjet e bëra na bëjnë që të vijojmë duke monitoruar javë pas jave”, tha Fico.