Shoqata Reporterët pa Kufij publikoi të hënën listën e njohur si “predatorët e lirisë së shtypit”, ku bëjnë pjesë krerët e shteteve që imponojnë represion mediatik masiv përmes aparateve të censurës, burgimeve arbitrare të gazetarëve dhe nxitjes së dhunës ndaj tyre.

Thuajse gjysma e liderëve shfaqen në listën e “predatorëve” për herë të parë, përkrah atyre që konsiderohen “tiranë të vjetër” si presidenti sirian Bashar al Assad, lideri suprem iranian Ali Khamenei, presidenti rus Putin, apo ai bjellorus Lukhashenko.

Për herë të parë në listë është edhe lideri i një vendi evropian, kryeministri hungarez Viktor Orban. Sipas organizatës, që nga kthimi në pushtet në 2010-n, Orban ka sulmuar sistematikisht median e pavarur.

Një tjetër figurë është ajo e princit saudit të kurorës, Mohamed Bin Salman, përgjegjës për një represion “barbar” dhe për vrasjen e konsideruar “të tmerrshme” të gazetarit Jamal Khashoggi në 2018-n.

Në listë ndodhet edhe presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, retorika luftarake e të cilit kundër shtypit është dhjetëfishuar që nga nisja e krizës shëndetësore.

Risi në listë është guvernatorja e Hong-Kongut, Carrie Lam, që konsiderohet një marionetë në duart e presidentit kinez Xi Jinping. Politikat e saj kanë çuar në heqjen nga tregu të gazetës më të madhe të pavarur në Hong Kong, “Apple Daily” dhe në burgimin e themeluesit të saj, Jimmy Lai.