Kontrolli i Lartë i Shtetit gjykon se Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sistemin e kasave fiskale e kanë aplikuar pa një strategji, prandaj nuk ka qenë efikas në uljen e evazionit fiskal me gjithë kostot si për administartën, ashtu edhe për bizneset.

“MFE dhe DPT nuk kanë patur objektiva dhe një Strategji të qartë për pajisjet fiskale si pjesë e një përmirësimi gjithëpërfshirës të luftës kundër evazionit fiskal, që do të përcaktonte qartë risqet për segmentet e ndryshme të tatimpaguesve dhe parashikonte masa për zbutjen e këtyre risqeve. Instalimi dhe përdorimi i pajisjeve fiskale është interpretuar nga organet shtetërore si “shkopi magjik” për rritjen e të ardhurave tatimore dhe uljen e evazionit fiskal, por me gjithë koston e konsiderueshme në implementimin e tyre, pajisjet fiskale nuk kanë patur efektivitet në rritjen e të ardhurave tatimore në Buxhetin e Shtetit”- citon raporti i KLSH.

Aty theksohet se, kontrollet e ushtruara nga Administrata Tatimore Qendrore në subjektet tatimpagues për përdorimin e pajisjeve fiskale, janë organizuar me fushata, ndërsa masat shtrënguese nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në uljen e evazionit tatimor nëpërmjet rritjes së të ardhurave tatimore nga TVSH e brendshme apo tatimi mbi fitimin.

Rekomandimet kryesore të KLSH-së drejtuar tatimeve kanë të bëjnë me forcimin e procedurave të kontrollit ndaj DRT në lidhje me përdorimin e sistemit të kasave fiskale si në drejtim të mbajtjes dhe evidentimit të dhënave në mënyrë unike, sistematike dhe të përditësuara ashtu edhe në përdorimin gjerësisht të të dhënave që ofron sistemi. Gjithashtu është rekomanduar që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore, për ngritjen e një strukture të veçantë pranë DPT, e cila të merret vetëm me menaxhimin e të dhënave, statistikën dhe analizat e xhiros dhe të ardhurave, etj. nga kasat fiskale/sistemi i ri i fiskalizimit; si edhe MFE në bashkëpunim me DPT të hartojë një paketë treguesish (indikatorësh) të efektivitetit të pajisjeve fiskale në bazë të cilëve të bëhet analizë të dhënash, monitorimi dhe vlerësimi i performancës.