Sali Berisha ka thënë gjatë një bashkëbisedimi online me shqiptarët në Florida të SHBA-së se shpallja e tij “non grata” është rast unik në botë. Ai tha se nuk ka në listën e zezë të SHBA-së asnjë njeri që është shpallur “non grata” 8 vite pasi ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion.

Por Berisha renditi një arsye të re për shpalljen e tij “non grata”.  Duke lënë këtë herë mënjanë akuzat ndaj Soros, Berisha tha se nuk ka pranuar që partia Demokratike të shndërrohej në aleate e PS-së pasi sipas tij kjo ishte strategjia pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Unë u shpalla “non grata” edhe për një arsye tjetër madhore. 3 javë pasi partia që unë mbështes humbi zgjedhjet dhe projekti ishte që kjo parti të shndërrohej në aleate të PS. Gjë të cilën kurrë s’mund ta pranoja. Kjo vinte në kundërshtim flagrant me interesat e shqiptarëve”, tha Berisha.

“Kim asistoi Bashën në presionet e pandershme ndaj demokratëve”

Lidhur me rezultatet e Kuvendit të 11 Dhjetorit, Berisha tha se demokratët u mblodhën pavarësisht presioneve të qeverisë dhe Lulzim Bashës. Sipas Berishës, ky i fundit është asistuar nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Dje patëm Kuvendin e jashtëzakonshëm të PD. Ky Kuvend ishte më i jashtëzakonshmi që është mbajtur ndonjëherë në historinë e pluralizmit të vendit, por ishte më i jashtëzakonshmi ndofta edhe në historinë e pluralizmit të vendeve të tjera sepse ishte Kuvendi i parë që mblidhej me firmat e anëtarëve të Kuvendit të PD-së pasi udhëheqja e kësaj partie nuk pranonte të mblidhte Kuvendin sepse e dinte që Kuvendi do t’u tregonte atyre vendin e merituar për shkelmimin që i kishin bërë statutit të PD-së, për shkelmimin që u kishin bërë forumeve, parimeve që ishte ndërtuar kjo forcë politike, për zhvendosjen e kësaj force nga forcë konservatore në një parti të majtë tërësisht e larguar nga vlerat tona të përbashkëta, liritë dhe të drejtat njerëzore.

Pas një konsulte dy mujore me atë që ne mbase e keni ndjekur e kemi quajtur foltore ku u mblodhën dhjetëra mijëra demokratë e demokrate kundrejt presioneve të jashtëzakonshme të qeverisë që ka marrë peng udhëheqjen e PD, por duhet të pranojmë, presione të pandershme edhe të pengut të qeverisë pengut Basha, sot ish-deputetit Basha i asistuar edhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila me ndërhyrjet e saj është kataliste e gjendjes së krijuar. Faktikisht e marrjes peng të opozitës nga qeveria”, tha Berisha.

“Anëtarësia e PD do të ratifikojë shkarkimin e Bashës më 18 Dhjetor”

Berisha shprehet i bindur se shkarkimin që i bëri dje Kuvendi Kombëtar Lulzim Bashës do ta ratifikojë me votë e gjithë anëtarësia e PD-së në referendumin e 18 Dhjetorit. Berisha tha se 11 Dhjetori i djeshëm është një nga datat më të rëndësishme në historinë e pluralizmit në Shqipëri.

“Kuvendi i djeshëm vendosi shkarkimin e kryetarit të marrë peng nga afera të tij dhe ky shkarkim me votën e fshehtë do të ratifikohet me votën e të gjithë anëtarësisë me datën 18 Dhjetor. Këto janë zhvillimet e deritanishme, por dita e djeshme pas 11 Dhjetorit të vitit 1990 ishte data më e rëndësishme në historinë e lirisë së shqiptarëve në Shqipëri në historinë e pluralizmit”, tha Berisha.

Më tej, duke qenë se takimi online është me shqiptarët e Florida, Berisha premtoi se PD e rithemeluar në pushtet do të bëjë gjithçka që diaspora të ketë të drejtën e votës.

“Ju garantoj se PD e rithemeluar në pushtet do të bëjë gjithçka që ju të keni të drejtën e votës në vendin tuaj, të vendoset  kuadri ligjor më i favorshëm për investimet tuaja dhe do të bëjmë gjithçka që shqiptarët, të rinjtë ta shohin Shqipërinë si vendin e shpresës”, u shpreh Berisha.