Këto janë pamjet e vrasjes së 55-vjeçarit Nazmi Bandula në Shkodër, i cili u ekzekutua me 6 plumba mëngjesin e së martës në lagjen “Rus”.

Sikurse shihet nga kamerat e sigurisë në rrugë, automjeti tip “Mercedes-Benz E Class” ndalon dhe hap zjarr nga brenda mjetit ndaj Nazmi Bandulës, i cili ndodhet në një lokal për të pirë kafen e mëngjesit pranë shtëpisë së tij.

Për asnjë çast, autori nuk ka zbritur nga makina, por ka qëlluar nga dritarja e mjetit. Atentatori qëlloi 13 herë. 6 plumba prekën 55-vjeçarin Bandula, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

E gjithë dinamika e krimit zgjati vetëm 3 sekonda, nga momenti kur autori hapi zjarr deri në vrasjen e Nazmi Bandulës, i cili shihet në kamera kur rrëzohet përtokë.

Më pas makina e vrasësve u largua në drejtim të paditur. Deri në këto momente autorët janë të paidentifikuar. Mjeti i përdorur në krim është filmuar në disa segmente rrugore nga kamerat e sigurisë. Mjetit ka targa të vjedhura të një makine Toyota.