“Çoji cigare shokut te 313. Çoji cigaret shokëve tek 313. Ke dy aty”! Kështu iu drejtua këtë të enjte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja duke e thumbuar edhe për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Do ta bie dhe ty”, u përgjigj Manja.

Janë disa prej replikave të Bashës dhe Manjës gjatë seancës plenare të zhvilluar ditën e sotme ku po diskutohet për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut.

Basha ka hedhur akuza ndaj mazhorancës dhe tha se “tani e kuptojmë pse është e rëndësishme që mos t’i lemë horrat dhe banditët që kanë sjellë bedeltë e tyre në parlament që të festojnë një ditë kur ONM të largohet dhe gjyqtarët e prokurorët jo 50-60% siç lajmëron sot Ulsiu me Imerin, t’i emërojnë 100% këta”.

Më pas, Basha iu drejtua Manjës duke i thënë që të mendohet mirë sepse do të vijë dita që të japë llogari për dosjen 184.

“E kuptojmë edhe ankthin e tyre. Dibra është një krim i pagjykuar. Ky që i premtonte hajdutit të votave të Dibrës promovimin është promovuar vetë është bërë ministër Drejtësie. Ua kam thënë ambasadorëve që e kanë për detyrë ta takojnë Ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë edhe kur ajo është ndërruar për shkak të këtyre surretërve në republikë bananesh që duart po ua japin aleatëve të krimit. Ai që është sot ministër drejtësie, minimalisht duhet të ishte dënuar. Si pjesëmarrës në atë që e zbardhi Bildi dhe e pa gjithë bota, por nuk e dënoi dot drejtësia shqiptare.

Drejtësia mund të vonojë dhe sa më shumë vonon aq më shumë dëmton, por nuk mungon. Kujtohu pak për ish-kolegun tënd, ministrin e Brendshëm dhe kapërdisjen e tij, majë më majë, rrugë më rrugë, shesh më shesh, madje dhe rrugëve të botës. Mendohu mirë Ulsi Manja se për momentin mund të duket vetja i përkëdhelur, i mbrojtur, por harroje ti dhe këtë po ta them në emër të qytetarëve se nuk do të vijë dita që të japësh llogari edhe ti me pjesën tjetër të bandës së strukturuar kriminale për dosjen 184”, tha Basha.

“Nuk është vendi t’i tregojmë njëri tjetrit kush je ti e kush jam unë. Nuk ke pse e ngre zëri dhe as pse bërtet. Nuk mendoj se e bërtitura është argument, nuk besoj se të bën më të fortë politik dhe më të ndershëm. Le ta lemë drejtësinë të flasë. Këtu jam unë, këtu je ti, këtu do jemi të gjithë. Sot është momenti për të votuar këto ndryshime kushtetuese për të lënë drejtësinë të flasë”, replikoi nga ana tjetër Manja.