Shtypi australian thotë se numri një i tenisit botëror rrezikon deri në pesë vite burg. Dhe me skualifikimin sportiv do të rrezikonte edhhe mbylljen e karrierës

Novak Djokoviç rrezikon deri në pesë vjet burg, nëse konfirmohet që ka bërë deklarata false te policia kufitare, për të hyrë në territorin e Australisë. Sipas mediave vendase, autoritetet e emigracionit kanë kërkuar edhe pak kohë për të studiuar çështjen.

Në zyrat e ministrit Hawke po shqyrtohet çdo detaj që nuk përkon me deklaratat e tenistit. Nga datat e testeve kundër Covid, te eventi me fëmijët, stërvitja në Spanjë apo edhe intervista që ka dhënë për L’Equipe, në një kohë kur e dinte që ishte i infektuar.

Sipas mediave australiane hetimi ndaj yllit të tenisit nga Ministria e Punëve të Brendshme është zgjeruar, duke përfshirë edhe thyerjen e rregullave të izolimit në Serbi, deklarimet e gabuara gjatë hyrjes në Australi për sa i takon udhëtimeve të kryera së fundmi, por edhe mospërputhjen e datave në testet e koronavirusit.

Argumenti kryesor mbi të cilin autoritetet po hetojnë, është pikërisht mospërputhja e periudhës kur Djokoviç pretendon se ishte i infektuar. Në një postim në Instagram, Nole njoftonte se e kishte marrë përgjigjen pozitive të Covid më 17 dhjetor, një ditë pasi kishte kryer testin molekular.

Por, në deklaratën përpara gjykatës, teksa ishte edhe i betuar se po tregonte të vërtetën, ai foli për test dhe diagnozë më 16 dhjetor.

Rrezikon të mbyllë karrierën?

Dënimi maksimal për dhënien e deklaratës së rreme sipas Ligjit për Krimet në Australi është deri në pesë vjet burg.

Megjithëse është e vështirë të bëjë pesë vite burg, për Novak Djokovic rreziku më i madh është ndoshta ai sportiv. Sioas rregullave të ATP, nëse një lojtar zbulohet se ka falsifikuar rezultatin e tamponit dënohet me tre vite skualifikim. Në këtë mënyrë merr fund edhe karriera e numrit 1 të tenisit botëror.

Novak Gjokoviç pranon gabimin në dokument

Novak Gjokoviç ka pranuar se është bërë një gabim në plotësimin e dokumentit që ka dorëzuar në aeroport, kur mbërriti në Melburn. Sipas asaj që vetë tenisti ka shkruar në rrjetet sociale, agjenti ka bërë një gabim që lidhet me listën e udhëtimeve të fundit të serbit.

Në dokument është deklaruar se Gjokoviç nuk kishte udhëtuar gjatë 14 ditëve para mbërritjes në Australi, por në fakt, gjatë dy javëve të fundit, sportisti që zakonisht jeton në Montekarlo, është parë në Spanjë dhe në Serbi.

“Agjenti im ka kërkuar ndjesë të sinqertë për gabimin administrativ në shënimin e kuadratit të gabuar. Është një gabim njerëzor, i paqëllimshëm”, – ka shpjeguar tenisti, duke shtuar më pas: “Kemi dhënë informacione shtesë për qeverinë australiane për të qartësuar çështjen”.

Gjokoviç gjithashtu ka pohuar se ka thyer rregullat e izolimit pasi rezultoi pozitiv ndaj Covid-19 më 17 dhjetor. Ai ka pohuar se ka takuar një gazetar dy ditë më pas për një intervistë: “Ishte një gabim në gjykim. E ndjeva si detyrim të vazhdoja dhe ta bëja atë intervistë për ‘Equipe”, – është shprehur numri 1 i tenisit në botë.