DHJETË GRAMË NDER…, ose shitblerja e imazhit!
(Doli nga shtypi romani i ri i Namik Dokles)

Shtëpia botuese Toena e përcjell librin te lexuesi me këto fjalë:
Romani i ri i autorit Namik Dokle, “Dhjetë gramë nder”, një gërshetim i jetës së përditëshme me elementë të distopisë, bën një radioskopi të shoqërisë në kohët moderne, kur gjithçka shitet dhe blihet, kur edhe vetë egzistenca njerëzore ka dalë në treg. Po nderi a mund të shitet dhe të blihet në kohët që jetojmë? Paradoksalisht, në roman, të gjithë turren të “blejnë” dhjetë gramë nder, ( disa edhe një kilogram!) për t’u bërë kriminelë të mëshirëshëm, prostituta të hirëshme, juristë të drejtë, politikanë të sinqertë, biznesmenë zemërmirë, për të shplarë kështu “imazhin e shoqërisë, të familjes dhe të individit”. Ka, madje, edhe nga ata që blejnë jo vetëm imazhin e të tashmes, por edhe të së kaluarës, ndërkohë që e ardhmja nuk është më ajo që ishte. Dhe ç’ndodh? Zbulojeni në këtë roman që “të trondit, të trishton, por edhe të lë me një buzëqeshje ironike në buzë.”