Ambasadori shqiptar në Londër, Qirjako Qirko në një intervistë për Euronews Albania tregoi bisedën e fundit me mbretëreshën Elisabeth II.

Qirko u shpreh se mbretëresha dinte gjithçka që kishte të bënte me vendin tonë, për marrëdhëniet rajone dhe qëllimet.

Qirko tha se mbretëresha Elisabeth II, gjatë takimit i tha se Shqipëria po zhvillohet me ritme të shpejta dhe se është e sigurt që shumë shpejt do t’i bashkohet BE-së.

“Bëri një vlerësim të veçantë për arritjet e vendit tonë në 30 vitet e fundit. Më tha: ambasador Londra që shikoni sot është zhvilluar në qindra vite kur se për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur shumë. Jam e sigurt që shpejt do i bashkoheni BE-së”, tha ambasadori.

“Ishte një takim i paharrueshëm. Sikurse u thashë që mbretëresha kishte informacion të jashtëzakonshëm, dinte gjithçka që kishte të bënte me vendin tonë, me marrëdhëniet rajone me aspiratat e vendit tonë për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh ambasadori.

Ai tregoi dhe shakanë me mbretëreshën për numrin e grave të punësuara në ambasadën e Shqipërisë në Londër.

“Pata rastin që të prezantoja stafin e ambasadës me mbretëreshën. Për balancën gjinore, gratë ishim më shumë dhe me shaka më tha që ‘jeni shumë mirë sa i përket balancës gjinore”, tregoi ai më tej.

Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare dhe hyri në histori si monarkja më jetëgjatë britanike. Elizabeth II ishte edhe mbretëresha më jetëgjatë e një vendi. Ajo qëndroi në fron për 70 vjet, nga viti 1952 kur mori postin pas vdekjes së babait të saj.