Në mesazhin e tij për të uruar fëmijët për ditën e parë të shkollës, kryetari i Partisë së Lirisë nuk ngurroi të akuzonte sërish kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin dhe për korrupsion.

“Me “lart më lart o shokë flamujt e kongresit”, nuk mbulohet dot dështimi dhe nënvleftësimi i plotë i arsimit. Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin. Vazhdojnë turnet, vazhdon analfabetizmi funksional, vazhdon braktisja e shkollës. Arritja më e fundit është edhe shantazhi e kërcënimi ndaj fëmijëve dhe prindërve të tyre për librat e shkollës. Kryeministri i krimit s’mund të jetë i arsimit”, tha Meta në një postim në Facebook.

Ai ftoi edhe një herë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e thirrur për të martën tek inceneratori i Tiranës.

“Që të mos vidhen më lekët si te inceneratorët, por të shkojnë për arsim cilësor dhe që t’i krijojnë mundësinë fëmijëve të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, nesër të gjithë tek inceneratori i Tiranës, ora 18:00”, tha Meta.