“Do të kryej një kasaphanë. E vetmja zgjidhje është të vdesësh duke luftuar. Armët i kam”. Nuk janë fjalët e një terroristi të ISIS, por të një 22-vjeçari italian nga qyteti i Savonës, në Liguria.

I riu, Andrea Cavalleri, është arrestuar nga forcat e rendit italiane pasi sipas tyre po përgatiste një sulm të mundshëm kundër disa objektivave, kryesisht të huaj, hebre dhe femra, që sipas tij duheshin luftuar.

I lidhur me ambientet më ekstreme të së djathtës, koleksionist i materialeve naziste dhe fashiste, Cavalleri rrëfente synimet e tij në disa nga forumet dhe chat-et e fshehta të Whatsapp.

Në njërin prej tyre, të quajtur Rendi i Ri Social, jo vetëm shtynte pjesëmarrësit për t’u aktivizuar në sulme të armatosura në shkolla, të njohura nga kronikat amerikane, por jepte detaje mbi sulmet e veta, që sipas tij ishin të detajuara, dhe do t’i i ngjanin masakrave të Utojës në Norvegji, ku u vranë 77 persona, dhe të asaj të Christchurch në Zelandën e Re, ku humbën jetën 50 persona.

Policia dhe forcat anti-terrorizëm kanë kontrolluar banesat e 12 personave të tjerë, që ndodheshin në qytete të ndryshme të Italisë së veriut.