Reforma e fiskalizimit do të rrisë të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit me 15%, sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

Në një prononcim për A2, Ibrahimaj shprehet se sistemi i ri i faturave elektronike pritet të ulë evazionin nga bizneset.

Nga 1 janari 2021, të gjitha bizneset që lëshojnë fatura për institucionet shtetërore dhe çdo ent publik, do të mund të lëshojnë vetëm fatura elektronike.

Drejtoria e Tatimeve ka publikuar termat dhe kushtet e përdorimit të Platformës Qendrore të Faturave. Në njërën nga pikat thuhet se administrata tatimore nuk mban përgjegjësi për gabimet apo ndryshimet në dokumentat që ngarkohen në këtë sistem, apo për aksesisin e një pale të tretë të paautorizuar.

Ibrahimaj tha se nuk ka rrezik që këto të ndodhin për sa kohë tatimpaguesit do të zgjedhin një prej kompanive të certifikuara për të ofruar këtë shërbim.

Partia Demokratike, përmes ish-deputetes Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se reforma e fiskalizimit do të rëndojë bizneset e mesme dhe të vogla, duke iu kushtuar afërsisht 2 mijë euro më shumë  në vit.