Ronaldo Nazario Da Lima, një nga më të mirët e historisë u fut nga Barcelona në arenën e madhe të futbollit, por në fund katalanasit nuk e vlerësuan siç duhet dhe e shitën pas vetëm një vitit qëndrim në “Camp Nou”.

Katalanasit e blenë për 15 milionë euro nga PSV Eindhoven në Holandë dhe më pas iu desh të hiqnin dorë me patjetër pas një sezoni, kur Massimo Moratti i pagoi klauzolën prej 26 milionë eurosh, rekord botëror në atë kohë.

Agjenti i tij i rikthehet verës së vitit 1997 kur ndodhi edhe zënka me Barcelonën, që largoi nga katalanasit pasi kishte shënuar 47 gola në 49 ndeshje dhe kishte vënë veten në listën e më të mirëve në glob në atë periudhë.

Giovanni Branchini tregon qartë sesi Barcelona deshi të mashtronte lojtarin me kontratën e rinovimit, duke vendosur kushte të tjerë nga ato që ishin biseduar me kreun e klubit, Joan Gaspart.

“Ne donim të rinovonim me Barcelonën, por nuk donim kushte për të drejtat e imazhit dhe situata të tjera të komplikuara. Nëse një televizion paguan një pjesë të kontratës sonë ishte në rregull përderisa paguante edhe taksat e saj.

Nuk donim të ndiqnim një rrugë të rrezikshme për lojtarin më të rëndësishëm në botë. Ai duhet të hynte më pas në beteja ligjore, që do e shqetësonin atë. Pas një darke me drejtuesit në ramë dakord. Unë telefonova ish-presidentin e Interit, Moratti dhe i thashë se ramë dakord me Barçën.

Barcelona më pas njoftoi konferencën për shtyp për të njoftuar rinovimin e Ronaldos. Por fatkeqësisht kur pamë kontratën kushtet nuk ishin aspak ato për të cilët kishim rënë dakord. Në fillim mendova se ishte një keqkuptim, pastaj humba durimin.

Shikova partnerët e mi dhe u thashë drejtuesve të Barcelonës: ‘Zotërinj, ne po largohemi. Duke pasur parasysh këtë fyerje të inteligjencës sonë, nuk ka asnjë arsye për ta ekspozuar Ronaldon ndaj këtij poshtërimi‘. Sulmuesi u transferua në Inter Milan dhe kaloi pesë sezone në Serie A”, tregoi Giovanni Branchini.

Më pas në vitin 2002 ai u kthye në Spanjë, por këtë herë te Real Madrid. Në vitin 2007 ai u kthye në Itali dhe luajti për Milanin, para se të mbyllte karrierën te Corinthias në Brazil në vitin 2011. Ronaldo fitoi dy Kupa Bote dhe dy Topa të Artë, pavarësisht se dëmtimet e shoqëruan në gjithë karrierën.