Lazio dhe Milani, njëri pas tjetrit në radhë. Kampionati është ende i gjatë, por momenti i së vërtetës mund të ketë ardhur për Interin. Eliminimi nga Kupa e Italisë i ka hequr të gjitha dyshimet: Conte ka mbetur veç në garën e kampionat. Një qëllim i vetëm, për të cilin përqendrohen të gjitha energjitë e tij. Pastaj, duhet të durojë edhe polemikat dhe tensionet ekstra, fyerjet dhe helmet. Përplasja në distancë midis trajnerit dhe drejtuesve të Juves ka acaruar klubin zikaltër, por situata mbetet kompakte dhe e bashkuar. Kjo mund të jetë thelbësore për të vozitur të gjithë në të njëjtin drejtim, në një moment kaq të rëndësishëm.

Ka qenë gjithmonë kështu: një “armik” i jashtëm të bashkon nga brenda. Kjo mund ta kompaktësojë mjedisin zikaltër. Pas tensioneve me Agnelli, Conte u mbrojt vetë, edhe nga klubi. Një kohezion që sigurisht nuk është një konstante e këtij një viti e gjysmë për trajnerin zikaltër. Interi është kompakt, gati të përballet me dy ndeshje “zjarri”: së pari Lazio, shumë e fortë; pastaj derbi i vërtetë kundër Milanit.

Ndeshja kundër Juves nuk solli vetëm polemika me bardhezinjtë. Ekziston një eliminim për t’u tretur, një tjetër dalje nga skena, pas asaj “të përgjakshme” në grupet e Champions-it. Pas barazimit në shtëpi kundër Shakhtar Donetsk, Conte kompaktësoi ekipin dhe ndërtoi një varg fitoresh të njëpasnjëshme në kampionat, që e kanë mbajtur Interin përherë pranë liderëve të Milanit. Humbja në kupë mund të jetë një moment tjetër i kompaktësisë, edhe për ato që janë thënë më lart.

Lazio vjen nga gjashtë fitore radhazi në kampionat, është e sigurt në atë që po bën. Inzaghi duket se ka gjetur skuadrën luftarake, si para bllokimit prej pandemisë, e aftë për të fituar 2-1 në shtëpi kundër Interit, disa javë para ndërprerjes së kampionatit për shkak të koronavirusit. Zikaltrit kanë nevojë për një provë të rëndësishme, si ekip i shkëlqyeshëm. Interi dëshiron të shkojë pa humbur terren në ndërqytetasen e Milanos (Milani do të jetë i angazhuar në fushën e Specias), por duke ëndërruar t’i parakalojë kushërinjtë, pas disa përpjekjeve në distancë gjatë javëve të fundit.