Trajneri i Lacios, Simone Inzagi, pas fitores 2-0 me Napolin foli për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me ekipin dhe të ardhmen e tij. Ai preku edhe çështjen e portës, duke theksuar se është momenti i Reinës dhe nuk është e drejtë që spanjolli të mos jetë titullar pas asaj paraqitjeje të mirë që ka bërë, çka do të thotë se Strakosha duhet të presë.

“Reina po luan shumë mirë. Strakosha kaloi Covid-19-ën dhe humbi rreth 20 ditë stërvitje. Kur u kthye, e aktivizova më shpejt se duhet. Momenti i tij do të vijë sërish, por tani nuk është e drejtë që të ul në stol Reinën. Për punën që po bën, meriton të jetë titullar”, – u shpreh trajneri i Lacios. Portierit kuqezi tashmë i duhet të punojë më fort dhe të presë momentin. Strakosha humbi edhe ndeshjet e Kombëtares për shkak të infektimit nga Koronavirusi, që me sa duket ka lënë pasoja në formë e tij sportive.

Reina gjatë ndeshjes me Napolin

Në ndeshjen Lacio-Napoli ishin të shumtë futbollistët shqiptarë, por përveç Vedat Muriqit që pati disa minuta, të gjithë të tjerët e ndoqën atë nga stoli. Te Lacio bënë “tifo” nga stoli portierët Strakosha dhe Alia, kurse te Napoli Hysaj dhe Rrahmani.

Të mërkurën Lacio ndeshet me Milanin kryesues. Trajneri Inzagi shpreson të rikuperojë ndonjë lojtar, sepse është në emergjencë për shkak të mungesave, ndërkohë që skuadra duhet të rifitojë energjitë, pasi ndaj Napolit shpenzoi shumë.