Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u është pëgjigjur akuzave të shqiptuara nga Sali Berisha gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur prej tij, më një fjalim të Ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri, William Ryerson.

Kim përcjell rrëfimin e Ryerson, që tregon një prej momenteve të vizitës së Sekretarit të Shtetit, James Baker në Tiranë. Në rrëfimin e tij, Ambasadori Ryerson kujton momentin kur një efektiv shqiptar i sigurisë u përlot.

“Isha pranë një autokolonës së makinave dhe afër një polic të gjatë, të fortë e të ashpër. Kur Baker tha ‘ne jemi me ju dhe ju jeni me ne, pashë pika loti në sytë e atij polici”, thotë Ryerson.

Kjo është pjesa që ndalet më shumë edhe Yuri Kim, duke kërkuar që të mos harrohet.

“Teksa po shkojmë drejt fundit të 2021, që shenjon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipëria, doja të shpërndaja këtë mesazh të Ambasadorit Ryerson. Ky moment i fortë i 30 viteve më parë, është po aq aktual dhe i vërtetë edhe sot pas 30 vitesh. Le të mos e harrojmë! SHBA dhe Shqipëria le të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës”, shkruan Kim.

Mesazhi i Ambasadores së SHBA mbërrin një ditë pasi Sali Berisha e akuzoi se po sillej si Guvernatore në Shqipëri, madje e krahasoi edhe me sjelljen e ish-ambasadorëve të Bashkimit Sovjetik gjatë periudhës së komunizmit.