Kryeministri Edi Rama shpalosi para dy ditësh një “çarçaf të gjatë” (siç e quajti ai vetë përrallisjen e tij në FB) që t’u mbushte mendjen shqiptarëve se ishte i pastër në historinë e lejes së ndërtimit të kullës 65-katëshe në mes të Tiranës…

Pavarësisht mendimit të mirë që ka për veten si gjithmonë, kryeministri ynë, duke krahasuar me “një hu të gjatë e mullar balte” punën e mediave kritike ndaj tij për këtë rast, harron një gjë: Kush përzihet me baltën, zor se del i larë…, siç pretendon ai në “çarçafin” e tij mediatik…
Edhe pas shpalosjes së çarçafit të tij të gjatë degë më degë, pakkush e beson se ai është i pastër në këtë histori balte e betoni bashkë… Madje e kundërta. Pasi e lexon çarçafin, dyshimet se, huri i gjatë i mullarit të baltës, apo stërmullari i korrupsionit, edhe në këtë rast, është vetë ai, Edi Rama, kthehen në bindje…

Para se të merret me mediat dhe ndërkohë t’i shpërfillë ato duke u tundur e shkundur një “çarçaf” të gjatë, një kryeministër duhet të kalojë nga kulla e ligjit dhe të udhëhiqet nga vetëdija e përgjegjësisë për çdo firmë që lëshon për lejet e ndërtimit. Nëse mediat ngrenë dyshime për lidhje të politikës me paratë e krimit në këto ndërtime, ju që firmosni duhet të jeni shumë herë më të interesuar të hetohet dhe zbardhet situata…
Si mund të justifikohet një kryeministër, kur për investime strategjike shmang transparencën dhe përgjegjësinë e firmës së tij, duke etiketuar “hu e mullar balte” mediat kritike që ngrenë dyshime të qenësishme për të?!

Vërtetë kryeministri, siç thotë në “çarçafin” e tij, e ka për detyrë që “t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private”, po, ku e ka lexuar Edi Rama se duhen shpërfillur rregullat e ligjet që u presim rrugën ndonjë afere të mundëshme në dhënien e lejet e ndërtimit?

“Balta” e gazetarëve e ka fajin që kryeministri nuk çan kokën që të sigurojë transparencë dhe të jetë gati të justifikojë vendimet e tij për të shmangur çdo dyshim për përfitim personal apo ndikim të paligjshëm?
Pse “çarçafi” i gjatë i tij s’na thotë asnjë fjalë për këtë?!
Po kur një investitor, si djali i Ardian Kollozit deklaron burime të pamjaftueshme parash (vetëm 100 mijë lekë) për një kullë gjigande në Lungomare në Vlorë, a nuk duhet të mbahet një nivel i lartë i transparencës dhe llogaridhënieje për t’u siguruar që ndërtime dhe projekte të tilla të mos ndërmerren në mënyrë të parregullt dhe pa ndonjë influencë të paligjshme?
E dini ju z. Kryeministër se kontrolli dhe mbikqyrja e proceseve të investimit janë të rëndësishme për të siguruar që këto investime të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve?
Nëse investitorët strategjikë deklarojnë shifra minimale të parave për investime madhore dhe marrin leje (si në rastin Kollozi në Vlorë) nga ju z. Kryeministër, kjo situatë shkakton shqetësime të arsyeshme për mungesë transparence dhe integriteti nga ana juaj. Kush është baltë në këtë rast, mediat që denoncojnë apo ju z. Rama?
Kush tjetër veç jush duhet të kujdeset për të siguruar që firma juaj në fund të lejeve të ndërtimit të jetë pas një procesi transparent, të përgjegjshëm e të pabaltosur?
Kush veç jush, para se të hedhë firmën, duhet të ndërmarrë hapa për të hetuar çdo rrezik të mundshëm të korrupsionit ose shkeljeve të ligjit në lejet e ndërtimit që lëshoni?
Prandaj, merre mbrapsht dhe gjej një vend tjetër për hurin e gjatë të mullarit me baltë që thua në çarçafin tënd të gjatë!

 

 

Engjëll NOVA