Vajza 3-vjeçare Elif Perincek, e cila u shpëtua të hënën pasi u nxorr nga rrënojat 65 orë pas tërmetit në rrethin Bayrakli në provincën perëndimore të Izmirit, është në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin Universitar Ege ku ajo po kurohet.

Spitali publikoi një video me Elifin në shtratin e saj dhe tha se trajtimi i vajzës po kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Rreth 23 orë pas tërmetit, nëna e Elifit, Seher Dereli Perincek, binjakët 10-vjeçarë Ezel dhe Elzem, si dhe Umut 7 vjeç u nxorrën nga rrënojat. Por Umut ndërroi jetë ndërsa nëna dhe binjakët e tij janë ende në trajtim.

Pasi shpëtoi Elifin e vogël, zjarrfikësi Muammer Celik ndau momente emocionale.

“Elif më kapi gishtin. Ia pastrova fytyrën nga pluhuri. Unë arrita ta nxirrja me një nga kolegët e mi dhe ajo nuk ma shkëputi gishtin të deri në çadrën e ndihmës së shpejtë. Ai fëmijë meriton të jetojë. Si zjarrfikës, ne kurrë nuk e humbasim shpresën deri në minutën e fundit. Ne kurrë nuk e kemi humbur shpresën se do ta gjejmë Elifin,” tha Çelik.

Si rezultat i tërmetit të fortë që goditi rajonin e Egjeut në Turqi, 91 njerëz kanë rezultuar të vdekur deri më tani e 994 janë plagosur.

Më shumë se 105 njerëz janë shpëtuar deri më tani, duke përfshirë 3-vjeçaren Elif Perincek.