Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga Vitore Tusha, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja, Elsa Toska, anëtarë, me sekretare Enina Kotoni, dha verdiktin e saj mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.

Sipas kësaj gjykate, në procedurën e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit, “Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe ai i ndarjes dhe balancimit të pushteteve” dhe “kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tri organeve të mësipërme”.

“Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion. Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër bëhet nga të tria organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi”, lexohet në vlerësim.