Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ata janë Altin Gjoka, 32 vjeç, i cili ka marrë plagë në shpatull dhe Jetmir Marashi, 28 vjeç, që ka mbetur i plagosur me plumb në gjoks.

Burime zyrtare të policisë thonë se plagosja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive ende të panjohura. Të plagosurit dhe autori i dyshuar ndodheshin në një lokal në rrugën “Todi Shkurti” të kryeqytetit, kur u përplasën fillimisht verbalisht e më pas sherri degjeneroi në përdorimin e armëve.

Dy të plagosurit ndodhen në spital, në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë, policia tha se ka bërë rrethimin e zonës dhe identifikimin e autorit të dyshuar, i cili për shkak të hetimit nuk bëhen të ditura gjeneralitet e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.