Epidemiologu Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e A2, deklaroi se është kundër vaksinimit të fëmijëve. Sipas tij, “kur flasim për efekte afatgjata të vaksinës, është ndryshe për një 70-vjeçar dhe ndryshe për një 17-vjeçar”.

“Kjo sëmundje ka pasur një lidhje eksponenciale me moshën. Sa më e madhe mosha, aq më shumë rriteshin rastet e rënda dhe fatalitetet. Që në fillim, pamë që rastet e rënda te fëmijët ishin tejet të rralla. Në Gjermani janë studiuar familjet me të paktën një rast koronavirusi dhe u pa se fëmijët sëmuren 41% më pak sesa të rriturit. Gjithashtu, edhe antitrupat ishin më të shumtë te fëmijët. Po të marrim rezultatet e këtyre studimeve, unë jam kundër vaksinimit të fëmijëve. Kur flasim për efekte afatgjata të vaksinës, është ndryshe për një 70-vjeçar dhe ndryshe për një 17-vjeçar. Me kaq pak muaj sa kemi me vaksinën, nuk janë studiuar efektet afatgjata të saj. Do një kujdes më të madh kjo punë, duhet marrë një vendim shumë të bazuar në prova”, u shpreh Alimehmeti.

Në lidhje me variantin Delta, ai u shpreh: “Varianti Delta tashmë është edhe zyrtarisht mes nesh, ka një rritje rastesh gjatë kësaj jave, megjithatë incidenca është ende u ulët. Na mbetet për t’u parë se ku do të jemi në vjeshtë, pasi viruset respiratorë e tregojnë veten në stinën e ftohtë. Duhet kohë për të bërë një analizë të detajuar. Por, personat e vaksinuar me dy doza duhet të jenë më të qetë përsa i përket Deltës”.

Sipas tij, “në momentin që do të kemi raste të reja që nuk na përkthehen në shtrime në spital apo vdekje, dhe ata që shtrohen janë të pavaksinuar, nuk ka më kuptim të shohim rastet e reja. Gjithmonë duhet të shohim rastet e rënda, jo të reja. Edhe në Itali u vendos që të mos shohin rastet e reja, por përqindjet e shtretërve të zëna nëpër rajone”.

Sa i përket asaj që quhet “green pass”, Alimehmeti tha: “Është një ndërhyrje e mesme e shtetit. Nuk është detyrim, pasi nuk është themelore shkuarja në restorant, por unë jam kundër. Jam kundër sepse “green pass” fitohet me vaksinim, e ke kaluar apo jo brenda 6 muajve virusin dhe tamponi 48 orët e fundit. Tamponi është prova më e dobët në absolut për të parë nëse ia transmetoj apo jo virusin tjetrit; Edhe me vaksinë mund të riinfektohesh; Edhe ai që e kalon mund të infektohet prapë. Pra, “green pass” nuk është i sigurt, por i jep njerëzve sensin e sigurisë së plotë. Do të ishte mirë që të gjithë njerëzit të trajtoheshin njësoj dhe duhet t’u themi njerëzve që nuk ka siguri të plotë as me “green pass”. Duket si lëvizje e koordinuar mes disa shteteve, por epidemiologjikisht nuk bën shumë sens”.