“Nuk e kam dëgjuar dhe as nuk kam ndërmend ta dëgjoj”. Kështu është shprehur Edi Rama për përgjimin në të cilin njeriu i dytë në Partinë Socialiste dhe krebashkiaku i Tiranës është kapur duke sharë më fjalë të pista dhe duke zbuluar se do të përdorë edhe SPAK-un për të goditur Armand Dukën.

Rama nuk ishte përfshirë në asnjë moment në përplasjen e ditëve të fundit mes Erion Veliajt dhe Armand Dukës për drejtimin e Federadës Shqiptare të Fubollit.

Kryeministri i është përgjigjur interesimit në Facebook të një ndjekësi që i kërkon informacion nëse për fjalët e Veliajt do të merren masa.

“Unë i neveris përgjimet e bisedave mes njerëzve qe flasin në një mjedis jopublik, te cilat sipas meje nuk mund te merren për baze asnjëherë askund, as si prova fajësie as si prova vërtetësie, sepse tjetër konteksti i një komunikimi informal pa dorashka, tjetër konteksti i shfaqjes publike se një përgjimi, prandaj edhe as nuk e kam dëgjuar fare dhe as kam ndërmend ta dëgjoj, kështu që meqë te dhashë tërë këtë shpjegim tani të lutem plotësoje pyetësorin me opinionet e tua duke klikuar”, i përgjigjet Rama.

Rama është kujdesur të bëjë diferencën mes, siç thotë ai, të një komunikimi informal pa dorashka dhe kontekstit të shfaqjes publike të një përgjimi.