Rreth 20 persona janë shoqëruar nga policia pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë në protestën e thirrur nga Sali Berisha.

Lëvizja e cila fillimisht u cilësua si “paqësore” degradoi në dhunë ku 6 persona u plagosën.

5 prej qytetarëve janë dërguar në QSUT pasi janë helmuar nga gazi, ndërsa një polic është dëmtuar në kokë.

Policia ka raportuar se selia e Partisë Demokratike është tashmë një “vendngjarje” dhe do të hetohet si skenë krimi.

Protesta nisi rreth orës 12:00 të së shtunës ku mbështetës të Berishës me trapanë dhe çekiçë në duar tentuan të futeshin brenda ambienteve të selisë së PD-së. Ata shqyen dyert dhe thyen dritaret, ndërsa përdorën shkallët për t’u ngjitur me dhunë në katin e dytë të godinës.

Incidentet nuk kanë munguar as brenda ambienteve të PD-së, ku kanë plasur kapsolla dhe është përdorur gaz lotsjellës dhe fikës zjarri kundrejt protestuesve.

Më poshtë fotografitë më të mira të ditës nga protesta në PD, që nga përleshjet, dëmtimet brenda selisë, futja e protestuesve brenda selisë dhe ndërhyrja e policisë.