Turqia do t’i kthehet gradualisht jetës normale nga provinca në provincë nga muaji mars, ka thënë presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan të mërkurën, duke shtuar se masa e izolimit nëpër fundjava, me qëllim të luftimit të koronavirusit, do të hiqet varësisht nga shkalla e infektimit.

Nga muaji dhjetor, autoritetet turke zbatojnë masën e izolimit të ashpër nëpër fundjava. Turqia tani planifikon hapjen e shkollave nga 1 marsi, ndërkohë që në kuadër të fushatës së vaksinimit deri më tani janë vaksinuar 5.7 milionë njerëz, me vaksina të kompanisë kineze, Sinovac.

Duke folur pas takimit me kabinetin e tij në Ankara, Erdogan tha se planifikon hapjen e kafeneve dhe restoranteve, të cilat janë mbyllur prej disa muajsh, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të Turqisë që të respektojnë rregullat për luftim të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

“Ne do të largojmë gradualisht kufizimet, duke nisur nga fundjavat, bazuar në infektim, vaksinim dhe kritere tjera në provinca”, ka thënë mes tjerash presidenti turk.

Prej shpërthimit të pandemisë, autoritetet turke kanë regjistruar 2.6 milionë raste të infektimit me koronavirus. Prej tyre 27,000 pacientë kanë vdekur.