Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhet Tayip Erdogan, nga foltorja e Kuvendit, paralajmëroi se Shqipëria rrezikohet shumë nga organizata e FETO, e cila në vendin e tij konsiderohet terroriste.

Sipas Erdogan, shumë pjesëtarë të FETO fshihen në Shqipëri në institucione të ndryshme dhe kanë agjendë të fshehtë dhe nëse nuk merren masa mund të organizojnë në vendin tonë një grusht shteti ashtu si në Turqi, 5 vjet më parë.

“Lufta kundër organizatës terroriste Feto, e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi parlamentin, është një nga ndjeshmëritë tona. Fatkeqësisht shumë anëtarë të kësaj organizate vazhdojnë të jenë në Shqipëri dhe tregojnë ekzistencën e tyre në arsim, shëndetësi dhe institucionet fetare dhe në një pjesë të sektorit privat. Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe nëse është e hidhur.

Ashtu si në Turqi edhe këtu institucionet e lidhura me FETO kanë agjenda të fshehura, prandaj nuk duhet të keni dyshim se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrën e vërtetë. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri. Ne e kemi parë dhe kemi paguar një kosto të rëndë. Ne e shohim si detyrë që të paralajmërojmë miqtë tanë. Presim që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”, deklaroi Erdogan.