Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nisma Ballkani i Hapur është një iniciativë e cila nuk mund të ndalet.

Gjatë fjalës së tij në samitin e zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Vuçiç u shpreh se do të krijohen grupe pune për samitin e ardhshëm, për të cilën propozoi që të mbahet në Serbi, teksa ftoi edhe përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

“Kjo është iniciativë e njerëzve që jetojnë në Ballkan dhe kjo është diçka që nuk mund të ndalet. Çdo vit të ketë sa më shumë udhëtarë në vendet e Ballkanit. Do të formohen grupe pune për takimin e ardhshëm, që propozoj të jetë në Serbinë jugore, që do të kujdesen që të tejkalojmë vështirësitë e furnizimit me ushqim, për furnizimet me energji elektrike, se si të ndihmojmë njëri-tjetrin”

Duke falënderuar Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, Vuçiç shtoi se të gjithë janë të mirëseardhur në nismë, por Kosovën nuk e përmendi me emër. “Takimin e ardhshëm propozoj të jetë në Serbi, para samitit të madh që e kemi në fund të verës në Beograd. Të dakordësohemi si të ndihmojmë njëri-tjetrin që të mbijetojmë në dimër, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve tanë. Janë të mirëseardhur të marrin pjesë në këto grupe edhe përfaqësues të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe Prishtinës”, tha Vuçiç.

Sipas Vuçiç, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë probleme bilaterale me njëra-tjetrën dhe Serbia nuk ka asnjë kërkesë, por kërkon bashkëpunim rajonal.