Më 9 Dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri. Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se qëllimi i kësaj vizite është për të thelluar miqësinë e ngushtë mes dy vendeve, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Sipas një njoftimi thuhet se Escobar do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

“Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane.