Zbuluesi i virusit HIV, Robert C. Gallo, thekson domosdoshmërinë e vaksinimit masiv, në një intervistë për “Avvenire“. Gallo është bashkëthemelues dhe drejtor i Institutit të Virologjisë Njerëzore (IHV) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Maryland dhe bashkëthemelues dhe këshilltar shkencor ndërkombëtar i Rrjetit Global të Virusit (Gvn).

Profesor Gallo, si e vlerësoni rastin AstraZeneca?

Është shumë e rëndësishme të kërkohen efektet anësore serioze, por nga sa kam parë duket se lidhja e një sëmundjeje të rëndë me një numër të vogël njerëzish mund të mos jetë për shkak të vaksinës. Kam lexuar janë vaksinuar 37 milionë njerëz dhe se numri i subjekteve që raportuan probleme nuk ishte më i lartë se ai i grupit të kontrollit të studimit klinik të njerëzve të të njëjtit seks, moshë etj. Pra, ndërsa unë besoj se kjo duhet të hulumtohet urgjentisht, nuk jam aspak i sigurt se problemet që njerëzit kanë janë shkaktuar nga kjo vaksinë. Sipas mendimit tim, duhet të hetohet shpejt dhe të arrihet po shpejt në konkluzione, sepse vaksina është shumë e nevojshme për ta ndihmuar Evropën të kthehet në rrugën e duhur në luftën kundër Covid-19.

Cila mendoni se është vaksina më premtuese e përdorur në botë dhe pse?

Të gjitha. Nuk ka favoritë në këtë lojë: vaksinat kryesore funksionojnë, dhe unë do ta bëja ndonjë prej tyre. Le të ndalojmë së shtyri gjërat për më vonë dhe së kërkuari përsosmërinë. Nuk ka përsosmëri.

A mendoni se eksperimentimi i vaksinës Covid është përshpejtuar shumë?

Përkundrazi, do të thoja që nuk është përshpejtuar sa duhet.

Çfarë u sugjeroni institucioneve shëndetësore?

Të vaksinohen njerëzit sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndërgjegjësojmë atë segment të popullatës që është akoma në dilemë për vaksinën, duke ilustruar përfitimet e mëdha.

Njerëzit mendojnë se vaksina e zgjidh problemin, por duhet një përforcues periodik. Cila do të jetë ecuria e mëtejshme?

Pa vaksinën të jemi të sigurt se problemi nuk do të zgjidhet. Sigurisht, edhe me vaksinën gjërat nuk mund të jenë perfekte, por gjithçka do të jetë shumë më mirë. Nëse pastaj vijnë variante të virusit, do të jetë e mundur të krijohen vaksina të reja për ato variante. Me pak fjalë, vaksinat e bëjnë punën.

Vendet e varfra nuk kanë vaksina. Si mund të zgjidhet globalisht problemi i drejtësisë shëndetësore?

Unë nuk jam ekonomist, por mendoj se fondet duhet të krijohen nga vendet që kanë mundësi të kontribuojnë, për t’ua çuar vaksinën edhe vendeve më të varfra. Për më tepër, nuk mund të presim të na jepet falas nga kompanitë farmaceutike. Unë do të shtoja se, në mungesë të një vaksine, ne duhet të konsiderojmë mundësinë për të stimuluar imunitetin e lindur që ka njeriu me vaksina jospecifike që nuk bartin rrezikshmëri. Unë nuk po ia rekomandoj këtë botës, pasi tani ekziston një vaksinë specifike për Covid-19, por, meqenëse ekzistojnë opsione për të stimuluar sistemin imunitar të lindur dhe mund të sigurojnë mbrojtje kundër Covid-19, kjo strategji mund të ndihmojë në plotësimin e boshllëqeve në vendet më të varfra, derisa të jetë në dispozicion vaksina specifike.

Shumë është investuar në vaksina – SHBA ishte e para që e bëri këtë – por pak në terapi: a është kjo strategjia e duhur?

Po, është. Kjo nuk do të thotë që terapia duhet të ndalet, por vaksina është përparësi. Instituti ynë i Virologjisë Njerëzore në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Maryland me kolegë nga OncoImmune Inc, po zhvillon një terapi të udhëhequr nga profesorët Yang Liu dhe Pan Zheng. Sidoqoftë, në përgjithësi, terapia antivirale kundër Covid-19 është e ngadaltë dhe përparësia e një vaksine është logjike.

Pas një viti e gjysmë, çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga kjo pandemi?

Mësimi është ai që bota harron gjithmonë pas një pandemie dhe është e qartë: na duhet përgatitje më e mirë dhe shëndet public më efektiv. Në këto raste, ne duhet të mbështetemi më pak te qeveritë dhe më shumë te shkencëtarët më të mirë në të gjithë botën.

Pra, nuk keni shumë besim te qeveritë…

Unë e kam humbur besimin te qeveritë që drejtojnë luftën kundër pandemive, kjo është e vërtetë. Vendet duhet t’u kushtojnë vëmendje udhëzuesve të ekspertëve, siç janë ato të Rrjetit Global të Virusëve dhe aleancave me fondacione private, të tilla si Gates Foundation, Gavi dhe Cepi. Roli i duhur i një qeverie është ai i mbikëqyrjes, financimit dhe ndërgjegjësimit, por nuk mund të konsiderohet një ekspert autoritar në fushën e shkencës dhe shëndetit publik. Le të mos harrojmë se në një pandemi të gjithë duhet të jemi të lidhur: fjala “pan” do të thotë “të gjithë” dhe të gjithë duhet të jemi bashkë në këtë gjë.