Ina Xhani, shqiptare që jeton në shtetin e Virxhinias në SHBA prej më shumë se dy vjetësh, tregon se në rrugët e kryeqytetit amerikan në Uashington, bizneset kanë mbyllur vetratat me dërrasa nga frika e trazirave të mundshme gjatë apo pas zgjedhjeve presidenciale të së martës.

Xhani tregon se zgjedhjet e fundit – në të cilat amerikanët do të zgjedhin mes Donald Trump dhe Joe Biden po u ngjajnë gjithnjë e më shumë atyre që ka përjetuar në Shqipëri.

“Për mua, këto janë zgjedhjet e treta (presidenciale në Amerikë) dhe asnjëherë nuk e kam përjetuar këtë atmosferë,” tha Xhani, specialiste komunikimi që ka jetuar me shkëputje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gati 10 vjet.

“Më ngjason me Shqipërinë te pjesëmarrja e militantëve, dhuna fizike dhe psikologjike që ata ushtrojnë, por dhe gjuha e përdorur nga republikanët dhe Trumpi në lidhje me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve,” tha ajo.

Zgjedhjet presidenciale mbahen mes një shpërthimi të ri të infektimeve me COVID-19 – një nga temat kryesore të debatit bashkë me ekonominë, dhe pritet të përcaktojnë mjaft për të ardhmen e SHBA-së.

Media atje raporton për një interes të shtuar të votuesve. Gati 100 milion votues e kanë hedhur tashmë votën në kuti nëpërmjet votimeve të hershme apo përmes postës.

Zgjedhjet në SHBA janë të rëndësishme edhe përtej oqeanit. Rrjetet sociale në gjuhën shqipe gëlojnë prej muajsh me postime dhe tifozllik për kandidatët. Megjithatë, vëzhguesit e politikës amerikane mbeten të ndarë për rëndësinë që ky proces i madh demokratik ka për Shqipërinë.

Ndikimi në Shqipëri dhe Kosovë

Një anekdotë e famshme ballkanike e viteve ‘90 për rolin SHBA-se si arbitër në rajon, theksonte me një dozë humori të zi se: “Në qoftëse ambasadori amerikan nuk do të ekzistonte, ne do ta shpiknim një.”

Një pjesë e publikut në rajon vazhdon t’i mbajë sytë përtej oqeanit, duke u munduar të kuptojë se si rezultati i zgjedhjeve në SHBA do të ndikojë në Tiranë dhe më gjerë.

Ish-zëvendës Ministrja e Jashtme, Edit Harxhi, e cila së fundmi shkroi një opinion pro presidentit Trump në faqen Syri.net, thotë se kjo ka të bëjë me lidhjen e fortë mes shqiptarëve dhe Amerikës dhe ndikimin e madh që SHBA-të kanë në Tiranë – si partneri kryesor strategjik.

“Për shkak të lidhjeve të ngushta historike dhe lidhjeve shpirtërore të shqiptarëve me SHBA-të, zgjedhjet atje janë një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë,” tha Harxhi. “Prandaj edhe shqiptarët polarizohen dhe marrin krahë,” shpjegoi ajo, ndërsa shtoi se shumë syresh mbeten me sy nga Uashingtoni.

Sipas Harxhit, tek SHBA shqiptarët shohin ‘zgjidhjen e problemeve të tyre, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet.”

Për gazetarin Alfred Lela – drejtues i portalit Politiko.al dhe njëkohësisht shtetas amerikan që voton në këto zgjedhje, ndikimi i zgjedhjeve amerikane në politikën e brendshme në Tiranë apo rajon, është më shumë një perceptim i palëve sipas tifozllikut apo krahut që kanë në politikën lokale.

Duke iu referuar pritshmërive që zgjedhja e Donald Trump në vitin 2016 do të kishte pasoja për kryeministrin Edi Rama, i cili e pati cilësuar atë si “rrezik për njerëzimin” gjatë një interviste në CNN, Lela tha se të gjitha pritshmëritë u rrëzuan.

“Janë projeksione të rrejshme që u ngritën nga kampet politike në Shqipëri”, tha Lela, duke arsyetuar se politika e SHBA-ve është shumë e madhe për t’iu tërhequr vëmendja nga vende të vogla si Shqipëria.

Megjithatë, ai mendon se fituesi i zgjedhjeve në mund te sjellë pasoja më shumë në Prishtinë sesa Tiranë.

“Me Trump (si fitues) nuk ndryshon gjë. Sa i takon çështjes shqiptare, do jetë në këto ujërat e turbullta të katër viteve të shkuara,” tha Lela.

“Ne njohim partneritetin me SHBA, por jemi të pasigurt për partneritetin me Trump”, shtoi ai.

Gazetari shqiptar shpjegon se administrata e Shtëpisë së Bardhë – kryesisht përmes ndërhyrjeve të fundit të ish-ambasadorit Richard Grenell, kishte krijuar ndër shqiptarë njëfarë dyshimi se ajo anonte më shumë nga Beogradi.

Lela thekson se nëse fitues është kandidati i demokratëve, Biden, Kosova dhe shqiptarët do të shihen në mënyrë më të favorshme.

Të njëjtën gjë thekson the gazetari i A2CNN, Blendi Salaj, i cili është shkolluar në SHBA dhe ka jetuar atje për disa vite.

“Biden është një kandidat që ka një histori në Ballkan, më saktësisht në Kosovë,” theksoi ai. “Çështjen shqiptare e ka ndjekur nga afër. Ka një histori me shqiptarët,” shtoi Salaj.

Frymëzim për lider autoritarë

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk e ka fshehur ndonjëherë simpatinë e tij për liderët autoritarë si Vladimir Putin, apo populistët si Vikor Orban dhe Jair Bolsonaro. Simpatitë e tij për politikanë autoritarë kanë ndikuar në mënyrë të tërthortë edhe në sjelljen e politikanëve në Ballkan.

Blendi Salaj mendon se në katër vitet e Trump, për shkak të stilit të tij kontravers të qeverisjes, pati një farë inkurajimi të autokracisë në Ballkan dhe në rajon.

“Me thënë të drejtën në të gjithë Ballkanin, kemi një tendencë drejt autokracisë, shtete që përqendrohen në shumë pak duar dhe liderë autoritarë, si Vuçic dhe Rama. Ky është një model që u përforcua në katër vitet e shkuara,” tha ai.

Ai vuri gjithashtu në dukje se raportet tregonin një përkeqësime të indeksit të lirive në këtë zonë dhe se periudha e drejtimit të Shtëpisë së Bardhë nga Trump ka qenë jo dhe aq produktive, sa i përket “angazhimit amerikan për demokraci dhe shtet ligjor në Ballkan”.

“Shihet kjo rrëshqitje mbrapsht nga mosvëmendja,” tha Salaj, duke vënë në dukje se Trump nuk i kishte kushtuar rëndësi rajonit, pavarësisht ndikimit në rritje të Rusisë, Kinës apo Turqisë.

Me të njëjtat ngjyra e shikon situatën edhe Lela. Ai thotë se politika e Trump ishte izolacioniste dhe se ai vuri në dyshim NATO-n dhe krijoi dyshim mbi anën që kishte në raport me Kosovën.

Për Edit Harxhin, lëvizja ka qenë në krahun e kundërt. Ish-zëvendësministrja e Jashtme në  qeverinë e Sali Berishës, mendon se Trump po i kushton më shumë vëmendje rajonit se sa administrata e Barack Obamës para tij.

“Kjo është treguar qartë me dy momente të rëndësishme, pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe përfshirja e SHBA në zgjidhjen e konfliktit për emrin. Dhe e dyta, çështja e Kosovës, që pati pikun e saj me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë,” tha Harxhi.

“Kjo erdhi në një moment kyç, pasi kishte një stanjacion për 10 vjet,” shtoi ajo.

Harxhi thotë se qasja e Trump drejt pragmatizmit ekonomik dhe përfshirja e SHBA-ve në disa projekte infrastrukture në rajon, përfshi vijimin deri në Nish të autostradës Durrës-Prishtinë dhe hekurudha, janë zhvillime pozitive.

“Duhej të kishte ardhur shumë më para,” tha ajo, ndërsa shpjegoi se veç Kosovës, edhe Shqipëria do të përfitonte nga këto zhvillime në infrastrukturë, pasi kishte portet më konkurruese për të qenë dalje të Kosovës dhe Serbisë në Adriatik.

Harxhi po ashtu e pranon se Biden është një kandidat me më shumë njohje në rajon dhe se ka marrëdhënie personale dhe politike në Ballkan, por vë në dukje se megjithëse kishte ruajtur “balancën gjeopolitike”, ai ishte i pari zëvendëspresident Amerikan që kishte vizituar Beogradin dhe se gjatë administratës “Obama-Biden”, “mund të kishte bërë më shumë për Ballkanin.”

Ndryshe nga Harxhi, Blendi Salaj megjithatë mendon se Biden është një kandidat më i mirë për rajonin dhe shqiptarët.

“I qëndroj asaj që zoti Biden ka një angazhim personal, ka një autostradë që mban emrin e djalit të tij (në Kosovë), ka vizituar Kosovën dhe është një mik i shqiptarëve, të paktën që prej konfliktit në vitin 1999,” tha Sala.

“Është dikush që e njeh historinë e Ballkanit,” përfundon  ai.