Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy funksionarë publik të akuzuar për falsifikim të dokumenteve.

Bëhet fjalë për drejtorin e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, Bardhyl Gjika, specialistin e kësaj drejtorie Kreshnik Mino dhe shtetasin Spiro Duni.

Forcat e rendit, pas një hetimi disa mujor, dyshojnë se funksionarët kanë falsifikuar formularët e AMTP për regjistrimin e një trualli në fshatin Dhërmi.

Vetëm disa ditë më parë, kjo zyrë e Qarkut u bë protagoniste e kronikave pasi disa dokumente ishin vjedhur gjatë natës, por nuk dihet ende nëse dy gjërat kanë lidhje mes tyre.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.