Prokuroria e Speciale SPAK, ka marrë në dorë 65 tendera në gjithë vendin, të cilët dyshohet se kanë shkelje dhe abuzime të rënda në shpalljen e fituesit dhe detajet e prokurimit. Mësohet se këto dosje janë çuar në SPAK nga kompanitë që kanë qenë pjesëmarrëse në tender atë caktuar dhe janë skualifikuar padrejtësisht.

Gjithashtu, dosjet janë nën hetim edhe për shkak të kallëzimeve që janë bërë në Prokurorinë Speciale nga subjekte të ndryshme dhe aktorë politikë, në disa raste.

Fax News mëson se SPAK ka në dorë rreth 65 tendera, ku janë duke u kryer hetime për menyrën se si janë fituar. Gjatë hetimeve në këto tendera janë konstatuar shkelje në fushën e prokurimeve publike, si përgatitja e dokumentacioni hartimi i specifikimeve teknike, përzgjedhja e procedurës, vlera e kontratës ali edhe shqyrtimi i ofertave në garë.

Harta e tënderave abuzivë që SPAK ka në dorë është shtrirë në të gjithë territorin e vendit.

Nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se dosje tenderimi janë sekuestruar në Ministrinë e Shëndetësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në bashkinë e Fierit dhe në disa institucione të tjera.

Pas nuk mbetet as Bashkia e Kolonjës, ku sipas informacioneve edhe atje janë duke u hetuar disa prokurime publike që dyshohet se ka pasur shkelje. SPAK është duke skanuar edhe disa dosje tenderash të Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër tënder nën hetim sipas informacioneve ka të bëjë me blerjet e mishit për institucionin e Qarkut Tiranë me vlerë totale 35 milion lekë, e ndarë në dy lote. Gjithashu SPAK është duke hetuar edhe tenderin për shërbimin e lavanterisë në QSUT me vlerë 9.2 milion euro.

Një ndihmë për Prokurorinë Speciale në këto raste abuzimesh ka qenë dhe Kontrolli i Lartë i SHtetit, i cili pas auditimit të disa institucioneve publike, ka konstatuar shkelje të mëdha me procedurat e tenderimit dhe shpërdorimin e parave publike.