Mes kandidatëve janë edhe 101 femra, për t’u bërë agjente të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në fazën seleksionuese u eleminuan 229 aplikantë që s’plotësonin kriteret. Testi zgjat një orë dhe përmban pyetje logjike. Pas kësaj faze, do zhvillohet testi fizik dhe ai i makinës së të vërtetës. Në fund, 60 fituesit do trajnohen në SHBA nga FBI-ja amerikane

Mbyllet faza e aplikimeve për agjentë të FBI-së shqiptare, me 424 kandidatë në total, mes të cilëve janë 101 femra. Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur 60 vende të lira për agjentë, teksa mesatarja llogaritet një fitues për çdo 7 kandidatë. Ditën e merkure pritet të mbahet edhe testi logjik me 30 pyetje dhe që zgjat për një orë, në sallën e “Pallatit të Kongreseve”.

“Testimi i 424 kandidatëve në garë për t’u përzgjedhur në Byronë Kombëtare të Hetimit, do të zgjas 60 minuta dhe do të ketë 30 pyetje”, bënë me dije burimet zyrtare.

Për t’u kualifikuar për fazën e tretë të garës, çdo kandidati do t’i duhet të marrë minimumi 12 pikë. Ata duhet të jenë të pajisur me maska kundër COVID-19 për testin që nis në ora 08:00 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 18:00 të mbrëmjes, pasi  do te zhvillohet me grupe ne fasha te ndryshme orari.

Gjatë regjistrimit, secilit kandidat do t’i jepet një kod, i cili vendoset tek fleta e testit, do t’u jepen udhëzime për zhvillimin e testimit dhe udhëzimi për plotësimin e fletës së SCANTRON-it.

“Kandidatët gjatë zhvillimit të testit me shkrim, në ambientin ku zhvillohet testi, nuk lejohet të mbajnë telefona celularë, pajisje elektronike, libra apo shënime. Nuk lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatët e tjerë, pasi kanë hyrë në ambientin ku zhvillohet testimi”, bënë me dije BKH.

Në këtë garë konkurruan 653 kandidatë, ndërsa 229 u skualifikuan nga vendimi i parë prej komisionit, në përbërjen e tre prokurorëve të SPAK, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkeleda Millonai, pasi nuk plotësonin disa prej kritereve.

Në përfundim të fazës së dytë, kandidatët do t’i nënshtrohen për të vazhduar garën testit fizik, e në fazën e tretë testit me makinën e të vërtetës. Procedurat janë të njëjta sikurse edhe gara që u zhvillua për kreun e BKH-së, me katër faza.

Në fund të procesit, 60 fituesit që do marrin firmat aprovuese të drejtoreshës Aida Hajnaj dhe kreut të SPAK, Arben Kraja, do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u trajnuar nga agjentët e FBI-së, përgjatë një muaji.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë në varësinë e prokurorëve të SPAK-ut, për të hetuar e mbledhur prova për korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe të krimit të organizuar, pastrim parash, grupe kriminale dhe terrorizëm.