Kur kanë mbetur pak ditë nga skadimi i afatit për aplikimin në garën për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), deri më tani asnjë oficer nga radhët e prokurorisë nuk ka shprehur dëshirën, por vetëm oficerë të Policisë së Shtetit.

Burime pranë BKH-së bëjnë me dije se deri më tani janë regjistruar 50 aplikime, por numri pritet të rritet këtë javë për shkak se është dhe afati i fundit i dorëzimit të dokumentacioneve.

Gara për 60 hetuesit e FBI-së shqiptare do të kalojë edhe faza të tjera, mes tyre dhe testi fizik krahas atij me shkrim, ndërsa nga kjo listë do të përgjidhet edhe nëndrejtori i BKH-së.

Pak ditë më parë, drejtuesja Aida Hajnaj bëri thirrje për sa më shumë aplikime, duke garantuar një proces transparent për të përzgjedhur kandidatët më të mirë.