Zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë. I shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, ai ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në dalje të selisë blu, Escobar pati një prononcim për mediat.

Zyrtari i lartë tha se opozita ka shprehur angazhim ndaj NATO-s, integrimit dhe luftës ndaj korrupsionit. Ai u shpreh se pret me kënaqësi që të vazhdojë marrëhëniet me PD e po ashtu që të takojë Lulzim Bashën në Uashtington.

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem në Tiranë. Është vizita e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikëpritje shumë të ngrohtë. Isha i lumtur që pata mundësinë të takohem me opozitën. Ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO dhe integrimit si dhe luftën kundër korrupsionit. Jemi të kënaqur që jemi pjesë e saj, përfshirë edhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit përfshirë edhe sanksionet. Por për ta kthyer këtë realitet do të nënkuptojë dhe kërkojë një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi që të zhvilloj bisedime të tjera këtë pasdite. Gjithashtu pres me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me PD. Pres me kënaqësi që ta takoj Bashën në Uashington sa më shpejt që të ketë mundësi”, tha Escobar.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri e Escobar, i cili është Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.