Giorgia Meloni, shuplakë Edi Ramës pa zbritur në Vlorë

Në vizitën për në Shqipëri, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni zgjodhi të udhëtojë me tragetin e linjës Puglia – Vlorë.
Ky udhëtim është në kontrast të thellë me lëvizjet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që përdor çarterat e avionët luksozë për çdo udhëtim.

Vendimi i kryeministres së Italisë Giorgia Meloni për të zgjedhur një traget linje krejt të zakonshëm, dmth. një nga mjetet e transportit publik më pak komodë e më pak të kushtueshëm për të ardhur në Shqipëri, është impresionues për çdo shqiptar. Sidomos për ne shqiptarët, kjo sjellje ofron një imazh të paparë ndonjëherë. Kryeministre e një vendi të fuqishëm ekonomik si Italia, e zgjedhur nga një parti politike me një program që cilësohet si i ekstremit të djathtë, qysh në nisje të vizitës së saj, Giorgia Meloni po tregon një shembull të thjeshtësisë e solidaritetit me shqiptarët e varfër që udhëhiqen nga një forcë politike që thotë se është e majtë. Ndryshe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që, siç thamë, përdor çarterat e avionët luksozë për çdo udhëtim, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në këtë rast tregoi se është e ndërgjegjëshme se po viziton një vend më të varfër se atdheu i saj Italia. Madje shumë më të varfër se ç’mund ta marrë me mend ajo. Emigrantët e shumtë shqiptarë atje, janë vetëm njëra anë e dëshmisë së kësaj situate…

E nderuara mysafirja e lartë znj. Melone,
Me modelin e thjeshtësisë e përulësisë së një shtetareje të përgjegjëshme që na dhuruat ne shqiptarëve, sigurisht padashur, ju na ndërgjegjësuat të shohim më qartë të kundërtën e sjelljeve të homologut tuaj, kryeministrit të vendit tonë.
Për këtë do t’ju luteshim miqësisht, nëse do t’ju krijohej rasti, ta pyesnit kryeministrin Edi Rama:

-Sa njerëz në Shqipëri nuk e sigurojnë dot ushqimin bazë, z. Rama?
-Sa pensionistë nuk blejnë dot ilaçet mujore?
-Sa prej tyre i mbajtë sytë nga emigrantët t’u dërgojnë para të pijnë një kafe?
-A e dini, sa është numri i të sëmurëve me sëmundje tumorale në Shqipëri?
-A e dini ju Kryeministri i Shqipërisë që spitali onkologjik në Tiranë nuk është asgjë më shumë se “FERRI NË TOKË”?
-A e dini se çfarë vuajtjesh kalojnë ata pacientë deri sa i merr vdekja?
-Kam dëgjuar këto ditë se ju përflasin për lejen e një kulle të lartë…, Por a nuk mendoni se problemi i shqiptarëve, nuk është një kullë por, poshtërimi i pushtetarëve që i qëndron si kullë mbi kokë?
-Dhe në fund, ku mund të shkojë ky vend me në krye pushtetarë kaq grykës e arrogantë?

E nderuara znj. Meloni,

Ne nuk shpresojmë shumë se, modeli i sjelljes suaj që dëshmoi thjeshtësi dhe fisnikëri njëkohësisht, mund të ndikojë në ndërgjegjësimin e një kryeministri arrogant, mospërfillës e grykës si Edi Rama.
Megjithatë ne ju falenderojmë se ju e bëtë tuajën…
Por ne ruajmë bindjen se shumëçka mund të korrigjohet, por jo grykësia. Ajo është një sëmundje që mund të izolohet vetëm nëpërmjet prangosjes.
Me shumë mirënjohje

Arbër Vlora